Dinamo City i Tiranës e siguroi plejofin e Ligës së Konferencës, duke e eliminuar në rrethin e tretë kualifikues skuadrën e madhe, Hajdukun e Splitit. Hajduku i Splitit është gjashtë herë kampion i elitës së futbollit kroat dhe tetë herë fitues i Kupës kroate. Është ekipi i dytë më i suksesshëm në Kroaci. Baton Zabërgja, Eridon Qardaku dhe Hekuran Berisha i shënuan golat për rezultatin përfundimtar të enjten mbrëma 3:1, në ndeshjen e luajtur në “Air Albania”, e që u vendos në vazhdime. 2:1 në të mirë të skuadrës kroate ishte mbyllur ndeshja e parë në “Poljud”. Tani në plejof, Dinamo City do të përballet me skuadrën e njohur polake, Jagiellonia. Ndeshja e parë luhet në udhëtim më 21 gusht, kurse ajo kthyese pas një jave.
Suksesi i arritur i Dinamo Cityt u shënua me trajnerin Ilir Daja si udhëheqës i skuadrës. Për teknikun tiranas, nuk është hera e parë që eliminon apo e mposht një ekip të madh kroat. Kohë më parë kishte fituar edhe ndaj Dinamos së Zagrebit. Dinamo dhe Hajduku janë dy skuadrat më të suksesshme të futbollit kroat.
“Ishte një mbrëmje historike për futbollin shqiptar, për historinë e Dinamos. Kishim përballë Hajdukun me 200 ndeshje në arenën evropiane. Kemi prezantuar në mënyrën më të mirë futbollin e klubeve të Shqipërisë. E merituan çunat, presidenti ka qenë superkorrekt. E meritojmë edhe ne si staf. Edhe puna jonë është pjesë e rezultatit në këtë që e përmenda”, ka deklaruar trajneri Ilir Daja për faqen zyrtare të klubit.
Trajneri 58-vjeçar nga Tirana, në gusht të vitit 2017, në kualifikimet për në Ligën e Evropës, e kishte eliminuar Dinamon e Zagrebit sa ishte drejtues i Skënderbeut të Korçës. Kishte barazuar 1:1 në “Maksimir” më 17 gusht, ndërsa pa gola ishte mbyllur ndeshja kthyese në “Elbasan Arena” më 24 gusht. Me këto rezultate në plejof, Skënderbeu kishte siguruar fazën grupore. Në grupe kishte fituar edhe ndaj Dinamo Kievit, një tjetër skuadër e madhe ukrainase.
“Jemi të lumtur që e bëmë historinë. Unë personalisht e kam bërë një herë historinë kundër Dinamo Zagrebit. Hajduku është një tjetër gjigant i futbollit kroat, me shumë histori. Të përballesh me kundërshtarë të nivelit të Hajdukut të Splitit dhe të kualifikohesh, është një bonus shumë i madh psikologjik. Mund të bëjmë gjëra të mëdha”, theksoi Daja.
Daja në karrierën si trajner e ka udhëhequr edhe Pogradecin, Elbasanin, Besën, Tiranën, Flamurtarin, Partizanin e Ballkanin. Suksese historike pati edhe me skuadrën suharekase. E fitoi tri herë rresht titullin. Dy herë rresht avancoi në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Shënoi fitore të mëdha madje.
Në edicionin 2022-23 të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli, e mposhti Sivassporin turk 4:3 në udhëtim. Në edicionin pasues ka fituar edhe ndaj Ludogoretsit 2:0 dhe BATE Borisovit, 4:1, në kualifikimet evropiane, në rrugën drejt fazës grupore. Dinamon e Zagrebit e kishte mposhtur 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një paraqitje mbresëlënëse të Ballkanit.
Trajneri Daja është fitues i Kategorisë Superiore në Shqipëri tri herë, me tri skuadra të ndryshme, me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. Kupën e Shqipërisë e fitoi me Dinamon në edicionin e fundit, dhe me Skënderbeun në edicionin 2017-18.
Me Ballkanin përveç tre titujve, e fitoi Kupën e Kosovës dhe ka një trofe të Superkupës.