Mbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, nuk është duke u stërvitur me skuadrën bullgare, CSKA Sofia. Mediumet në Bullgari kanë raportuar se Dellova ka refuzuar të stërvitet dhe dëshiron të largohet gjatë këtij afati kalimtar.
“Lumbardh Dellova, refuzoi të stërvitej dhe dëshiron të shitet te një ekip tjetër”, shkruan “segabg.com”.
Javë më parë, klubi elitar i Bullgarisë, i ofroi kontratë të re mbrojtësit të Kosovës. Por ai ka refuzuar ofertën e bullgarëve.
26-vjeçari, Dellova, iu bashkua vitin e kaluar ekipit bullgar nga Ballkani i Suharekës, ndërsa ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.
Dellova ka luajtur katër ndeshje këtë edicion. Ai për Kosovën ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar dy gola.