Vesel Demaku ka qenë njëri prej lojtarëve më në formë te skuadra e Altachut në fillim të stinorit pranveror.
Demaku, i cili tri herë e ka veshur fanellën e Kosovës ishte për kohë të gjatë i lënduar dhe nuk u ftua nga përzgjedhësi Franco Foda.
Por, Demaku shpreson që me paraqitje të mira, ta fitojë sërish besimin e tij.
Mesfushori 26-vjeçar vlerësohet si futbollist që vrapon shumë, ndonëse në pozitën e tij ka konkurrencë të fortë. Mesfushorët kryesorë vlerësohen Elvis Rexhbeçaj dhe Leon Avdullahu.
“Shumë stërvitje”, ka deklaruar Demaku për “Krone.at” të shtunën, kur është pyetur për arsyet e përmirësimit të paraqitjeve të tij. “Dëshiroj të vazhdoj kështu me Altachun dhe të kem sezon të mirë. Personalisht, dua të kthehem te Kosova me paraqitje të mira, pasi kam munguar në vjeshtë shkaku i lëndimit”, ka deklaruar Demaku.
Demaku nga U15 deri në grupmoshën U21, ka luajtur për Përfaqësuesen e Austrisë.
Me Kosovën debutoi në mars të vitit të kaluar.