Ylli i Përfaqësueses së Marokut, Brahim Diaz, ka kërkuar falje për penalltinë e humbur në finale të Kupës së Afrikës ndaj Senegalit.
Senegali të dielën mbrëma fitoi 1:0 ndaj Marokut pas vazhdimeve. Golin e fitores për Senegalin e shënoi mesfushori i Villarrealit, Pape Gueye.
Në minutat shtesë u akordua penallti për Marokun. Por vendimin e arbitrit nuk e pritën mirë futbollistët e Senegalit të cilët e lëshuan fushën së bashku me shtabin teknik. Pas disa minutave, futbollistët u kthyen në fushë dhe Diaz e mori përsipër ekzekutimin e penalltisë. Ai provoi me “panenka”, ndërsa gjuajtjen e ndali portieri i Senegalit, Edouard Mendy.
“Dje dështova dhe marr përgjegjësi të plotë. Kërkoj falje nga thellësia e zemrës. Do të jetë e vështirë për mua të shërohem, sepse kjo plagë nuk shërohet lehtë, por do të përpiqem. Jo për veten time, por për të gjithë ata që besuan tek unë dhe për të gjithë ata që vuajtën me mua. Do të vazhdoj përpara derisa një ditë të mund t’ua kthej gjithë këtë dashuri dhe të bëhem burim krenarie për popullin tim maroken”, ka shkruar ylli i Real Madridit të hënën.