Futboll

Dinamo Zagrebi i gatshëm ta shesë Hoxhën

Arbër Hoxha

Dinamo Zagrebi mund ta shesë sulmuesin e krahut, Arbër Hoxhën, nëse në drejtim të skuadrës së madhe kroate vjen një ofertë e pranueshme.

Kështu ka raportuar të dielën mediumi kroat “TPortal”.

Gjiganti kroat këtë verë pritet t’i ndajë rrugët me disa futbollist si Marko Bulat, Dario Spikiq dhe Juan Cardoba.

Për Hoxhën kanë shprehur interesim disa skuadra evropiane. Nga Anglia ka shprehur interesim Hull City që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit anglez. Ndërkohë  ka interesim edhe nga Turqia si Kayserispori, Trabzonspori dhe Eyupspori. Më herët për reprezentuesin e Shqipërisë pati raportime se është interesuar edhe skuadra italiane, Lecce.

26-vjeçari Hoxha te Dinamo u transferua vitin e kaluar nga Slaven Belupo për një milionë euro. Hoxha me Dinamon e ka të fituar një titull të kampionit dhe një Kupë të Kroacisë.

Ai me Dinamon ka kontratë deri në verën e vitit 2027.