Futboll

Drita do të kënaqej edhe me një pikë ndaj Rayo Vallecanos

loja

Drita dhe Rayo Vallecano kanë arsye të shumta për ta vazhduar kampanjën e suksesshme në Ligën e Konferencës. Si skuadra e La Ligas spanjolle, ashtu edhe ajo e Superligës së Kosovës kërkojnë fitore për të shpresuar në kualifikim direkt në një të tetën e finales. 

Rayo Vallecano ka grumbulluar 10 pikë në pesë ndeshje dhe zë vendin e shtatë, ndërsa Drita është e 19-ta dhe ka dy pikë më pak. Gara për tetë vendet e para është shumë e fortë, njësoj siç është ajo për të zënë vend në fazën nokaut. Kualifikimi në fazën e plejofit është i mundur me renditje deri në pozitën e 24-t. 

Te skuadra e Dritës e dinë se ndeshja e së enjtes nga ora 21:00 në “Estadio de Vallecas” do të jetë e vështirë. Në këtë fushë, me dimensione më të vogla se ajo e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Rayo Vallecano ndali në barazim Barcelonën e Real Madridin. 

“Sa u përket fushave, ne ashtu e kemi kampionatin. Jemi mësuar me fusha të vogla dhe të mëdha. Kemi disa fusha që janë si këto, kemi disa fusha më të mëdha. Nuk e kemi problem fare. Nuk e kam matur fushën a është e vogël apo e madhe. Ne shpejt ambientohemi në çfarëdo lloj kushte që ka fusha”, ka deklaruar trajneri Zekirija Ramadani kur është pyetur në konferencë për dimensionet e fushës. 

Për këtë temë së fundmi kishte shprehur shqetësime trajneri Manuel Pellegrini i Real Betisit. Vallecano barazoi edhe me Betisin pa gola të hënën. 

Ramadani theksoi se Drita do të jetë më e motivuar se Vallecano për këtë ballafaqim, ashtu siç ka qenë kjo skuadër ndaj Barçës e Realit. 

“Kemi ardhur për të bërë maksimumin. Nuk themi që kemi ardhur këtu për ta mposhtur Rayo Vallecanon, kemi ardhur për të bërë maksimumin në fushë. Unë llogaris nga ora 21:00 deri në sekondën e fundit, jemi në orar të punës. Futbollistët e kanë orarin e punës dhe do ta bëjmë punën për 95-96 minuta apo sa do të jetë ndeshja dhe në fund do ta shohim rezultatin. Në këto ndeshje favorit absolut është Rayo Vallecano, mirëpo ne jemi këtu për të dhënë maksimumin. Po e them sinqerisht, do të isha shumë i kënaqur edhe me një pikë të arritur, me një barazim”, theksoi tekniku shkupjan. 

47-vjeçari tha se Drita do të jetë pa Rron Brojën, Vesel Limajn dhe Faton Malokun në këtë ballafaqim, shkaku i lëndimeve. Por, e ka besimin e plotë te lojtarët e tjerë. 

“Relaksim nuk ka, por besoj në punën, ekipin, angazhimin dhe në fund të fundit, nuk kemi çfarë të humbim, kemi ardhur për të dhënë maksimumin. Shpresoj të fitojmë një pikë”. 

Përkrah Ramadanit në konferencë ishte Besnik Krasniqi, mbrojtësi i krahut të djathtë. 35-vjeçari e vlerësoi Rayo Vallecanon si njërin prej favoritëve për të triumfuar në Ligën e Konferencës. 

“Mendoj që Rayo Vallecano do të jetë njëri ndër favoritët për të triumfuar në Ligën e Konferencës, por ka shumë skuadra të forta dhe të shohim deri në fund. Kemi ndeshje nesër me të dhe nuk dua t’u jap shumë përkrahje atyre”, tha Krasniqi, njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm te klubi gjilanas. 

Të mërkurën konferencë për shtyp pati edhe Rayo Vallecano, me trajnerin Inigo Perez dhe qendërmbrojtësin Florian Lejeune. 

“Drita është skuadër energjike në të dyja fazat, mbrojtje dhe sulm. Në mbrojtje ndjek lojtarët në gjithë fushën, përveç kur lojtarët e saj duan të jenë numerikisht më shumë. Në ofensivë është e njëjta gjë. Kjo e bën këtë skuadër fizike, energjike dhe me dëshirë të madhe për sulm. Kjo do të na shtyjë të jemi mirë të organizuar dhe të gatshëm”, ka deklaruar trajneri Perez. 

Edhe francezi Lejeune e vlerësoi lartë Dritën. 

Rayo Vallecano do të ketë mungesa të rëndësishme të enjten. Oscar Trejo dhe Abdul Mumin janë të angazhuar në Kupën afrikane, kurse sulmuesi Alemao mungon shkaku i lëndimit. 

Drita ka luajtur në të kaluarën me kundërshtarë të ndryshëm në skenën kontinentale. Por, Rayo Vallecano është kundërshtari i parë spanjoll i gjilanasve.