Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka përfunduar të martën fazën përgatitore në Bansko të Bullgarisë.
Në qendrën e njohur në Bullgari, skuadra gjilanase qëndroi 12 ditë ndërsa luajti pesë miqësore. Fillimisht pësoi 1:0 nga CSKA 1948 e më pas barazoi 2:2 me Sileksin. Tri ndeshjet e fundit gjilanasit i fituan, 2:1 ndaj Egnatias, 2:1 ndaj Belasicës dhe 3:1 ndaj Farul Constantas.
Drita të enjten vazhdon përgatitjet për edicionin e ri, në Gjilan.
“E mira e kësaj faze ka qenë që të gjithë lojtarët kanë marrë ngarkesat e duhura dhe nuk ka pasur ndonjë shqetësim apo ndonjë lëndim në përjashtim të Egzon Bejtullait i cili dy ditët e fundit nuk ka stërvitur me ekipin për shkak të një lëndimi dhe pritet të rikthehet me ekipin në fundjavë”, shkruan në njoftimin e Dritës.
Drita më 8 korrik nga ora 20:00 luan me Differdangen e Luksemburgut në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri”, ndërsa transmetohet në KTV.
Ndeshja e kthimit në Luksemburg është më 15 korrik.