Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka hasur në kritika, kundërshtime e fyerje të shumta, sidomos pas vendimit që ta organizojë bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027. Pa kritika nuk kanë kaluar as lojtarët, sidomos pas dy ndeshjeve të këtij muaji.
Por Duka u ka dalë edhe njëherë në mbrojtje lojtarët. Në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, ka kërkuar të mos quhen “heronj” kur fitojnë dhe të mos quhen “tradhtar” kur humbin. Fjalimi i presidentit Duka është publikuar në tërësi edhe në sajtin e FSHF-së. Ai ka insistuar se lojtarët e Shqipërisë treguan karakter, guxim dhe cilësi ndaj Serbisë dhe Letonisë.
“Kualifikueset për Botërorin 2026 na vendosen përballë një grupi tepër të vështirë me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra ku pas katër ndeshjesh kemi grumbulluar 5 pikë dhe jemi në vendin e dytë. Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë treguam karakter, guxim dhe cilësi, edhe pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë”, ka thënë Duka ndër të tjera.
Shqipëria barazoi pa gola ndaj Serbisë në Tiranë më 7 qershor, kurse 1:1 kundër Letonisë në Riga më 10 qershor.
Ndonëse nuk u mposht, Shqipëria në qershor është larguar goxha nga synimi madhor – kualifikimi historik në Kampionatin Botëror të futbollit.
Tashmë kuqezinjtë i kanë luajtur gjysmën e ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Aktualisht janë në vendin e dytë në grup, që siguron plejofin, por vetëm për faktin se përfaqësueset e tjera kanë më pak ndeshje të zhvilluara.
Duka insiston se Shqipëria është ende në garë për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Por ai pranon se gjasat janë zbehur pas rezultateve në katër ndeshjet e para kualifikuese.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe do t’u jem përjetësisht falënderues djemve të ekipit kombëtar për emocionet e paharrueshme që na kanë dhuruar. As ata dhe as ne nuk kërkojmë të quhemi ‘heronj’ kur fitojmë, por as ‘tradhtarë’ kur humbasim, sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes të të quajturit ‘patriotë’. Jemi thjesht një skuadër që jep maksimumin në një lojë të bukur, ku fitorja, barazimi apo humbja janë pjesë e saj. Kritika është e natyrshme pas një humbjeje, por nuk duhet të bëhet një rast i pritur me padurim për të zbrazur mllefin në emër të nacionalizmit dhe patriotizmit”, ka thënë Duka.
Duka në fjalimin e tij ka përmendur edhe shumë suksese të arritura nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndër arritjet më të mëdha e ka vlerësuar edhe organizimin e Evropianit U21 me Serbinë.
“Organizimi i UEFA Euro U21” në vitin 2027 përbën një tjetër moment historik për Shqipërinë – një mundësi për të treguar se dimë të mikpresim dhe të organizojmë evente të mëdha. Që bëhen të mëdha, vetëm nëse bashkëpunojmë bashkë”, ka thënë Duka.
Shqipëria në shtator e luan vetëm një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Më 9 shtator e pret Letoninë në Tiranë, kurse ndeshjen ndaj Serbisë e luan më 11 tetor në Beograd. Në nëntor, Shqipëria i luan dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues. Më 13 nëntor luan ndaj Andorrës në udhëtim, kurse pas tri ditësh e pret Anglinë në Tiranë.