Futboll

Drenica fiton me përmbysje të rezultatit

dr

Drenica ka fituar të shtunën me përmbysje të rezultatit ndaj Ferizajt të shtunën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. 

Ndeshja e xhiros së 17-të i takoi “kuqezinjve”, që fituan 2:1 me rikthim të rezultatit. 

Erion Sadriu shënoi për 1:0 në të mirë të Ferizajt në minutën e tretë. 

Por, Drenica e ktheu rezultatin në 2:1. Fillimisht, shifrat u barazuan pas autogolit të mbrojtësit Ardit Topalaj në minutën e 16-të, ndërsa për 2:1 në minutën e 30-të shënoi me kokë Kreshnik Uka. 

Nga minuta e 42-të, Ferizaj mbeti me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të Qlirim Avdullit.

Avdulli u përjashtua nga loja direkt me të kuq, pas rishikimit të situatës në VAR. Gjyqtari Valon Bajgora e vlerësoi Avdullin si futbollistin e fundit që bëri ndërhyrje të palejuar. 

Pjesa e dytë nuk dhuroi më gola dhe u mbyll me rezultatin e 45 minutëshit të parë. 

Te Drenica debutoi me fitore trajneri kroato-gjerman, Thomas Brdariq, i cili u prezantua të martën. Ai e zuri vendin e trajnerit Bylbyl Sokoli. 

“Kuqezinjtë” e shënuan fitoren e parë pas tri disfatave të njëpasnjëshme, ndërsa “bardhekaltrit” e Ferizajt mbeten pa fitore prej 29 tetorit. 

Drenica në vendin e tetë ka 20 pikë, aq sa ka edhe Llapi në vendin e shtatë, me një ndeshje më pak të luajtur. Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 16 pikë.


Mbyllet pjesa e parë në Skenderaj

Drenica e ka mbyllur pjesën e parë ndaj Ferizajt me epërsi 2:1. 

Erion Sadriu e kaloi në epërsi Ferizajn në minutën e tretë. Por Ardit Topalaj me autogol i barazoi shifrat fillimisht në 1:1, ndërsa Kreshnik Uka pas gjysmë ore lojë, shënoi për 2:1 në të mirë të Drenicës. 

Ferizaj nga minuta e 42-të mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të mbrojtësit të krahut të majtë, Qlirim Avdulli. 

Ndeshja i takon xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës. 

Te Drenica ka debutuar trajneri kroato-gjerman, Thomas Brdariq, i cili u prezantua të martën.


Ferizaj mbetet me një futbollist më pak

Ferizaj ka mbetur me një futbollist më pak në fushë në duelin ndaj Drenicës. 

Mbrojtësi i krahut të majtë, Qlirim Avdulli, për shkak të një faulli si futbollisti i fundit, është përjashtuar nga loja direkt me të kuq në minutën e 42-të. 

Kështu u vendos nga gjyqtari Valon Bajgora. Ai fillimisht e ndëshkoi atë me karton të verdhë në atë rast. Por, pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari Bajgora e përjashtoi direkt nga loja.


Drenica kalon në epërsi

Drenica ka arritur që ta përmbys rezultatin në duelin ndaj Ferizajt në shtëpi. 

Golin për 2:1 me gjuajtje të saktë me kokë nga zona, e shënoi Kreshnik Uka. 

Uka realizoi në minutën e 30-të.


Dy gola të shpejtë në “Bajram Aliu”

Dy gola të shpejtë për 16 minuta janë shënuar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj të shtunën, në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll. 

Drenica është duke barazuar me Ferizajn, 1:1. 

Erion Sadriu shënoi në minutën e tretë për mysafirët, ndërsa Ardit Topalaj realizoi autogol në minutën e 16-të për 1:1.