Futboll

E diela e veçantë e Ardon Jasharit

ardon jashari

Pasdite si titullar për herë të parë në Serie A në Firencë, në mbrëmje, në podium në Middelkerke.

Ardon Jashari luajti një orë në barazimin 1:1 të Milanit ndaj Fiorentinës të dielën, kurse disa orë më vonë në Belgjikë, çuditërisht, fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit 2025.

“Ishte një rrëmujë e vërtetë”, tha Jashari. “Pesëmbëdhjetë minuta pas ndeshjes në Firencë, u nisa për në aeroport”.

Një aeroplan privat po e priste Jasharin. Ai u nis për sallën ku po mbahej ceremonia e 72-të e “Këpucës së Artë” të Belgjikës.

“Kisha vetëm pesë minuta për t’u ndërruar. Ajo ditë ishte shumë e ngarkuar, por ia vlejti”, është shprehur Jashari. “Më jep një ndjesi vërtet të mrekullueshme. Është e pabesueshme”.

Mesfushori pranoi se nuk priste të fitonte çmimin e më të mirit, pas transferimit nga Club Brugge te Milani në verën e vitit të kaluar.

“Kur u transferova në verë te Milani, mendova se mund ta harroj çmimin ‘Këpuca e Artë’. Fakti që më në fund arrita ta fitoj atë, bazuar në një raund të vetëm votimi, më bën shumë të lumtur. Nuk do ta harroj kurrë këtë moment. Më sjell shumë emocione”, ka theksuar mesfushori.

23-vjeçari Jashari u shpall më i miri i kampionatit të Belgjikës për vitin 2025 me 351 pikët e mbledhura në raundin e parë të votimit. Pas tij përfunduan dy ish-bashkëlojtarët te Club Brugge, Hans Vanaken me 304 pikë dhe superfavoriti Christos Tzolis me 243 pikë.

Jashari bëhet i pari që fton “Këpucën e Artë” vetëm me numërimin gjysmës së votave, që nga koha kur këtë çmim e kishte fituar Gilles De Bilde në vitin 1994.

“E di çfarë domethënie ka ky çmim në Belgjikë”, pohoi ai me tundje të kokës. “Është gjithashtu shumë e rëndësishme për mua personalisht. Pata një sezon fantastik në Belgjikë me Club Bruggen. Kjo është e jashtëzakonshme. Jam rritur vërtet në Brugge, si lojtar e po ashtu edhe si person. Belgjika është bërë shtëpia ime e dytë. Kam takuar kaq shumë njerëz të mrekullueshëm këtu. Ky çmim e bën vitin e kaluar edhe më të veçantë”.

Fakti që ndodhi tani e bën edhe më të veçantë për Jasharin. Ai qëndroi jashtë fushave për më shumë se tre muaj vjeshtën e kaluar për shkak të një lëndimi.

“Pra, ky çmim është edhe më i vlefshëm”, thotë me buzëqeshje ai. “Ishte një kohë e vështirë”.

Në të njëjtën kohë ai donte të shprehte veçanërisht mirënjohje për ish-ekipin.

“Kam folur shkurtimisht me Hansin dhe Christosin. Dua të vazhdoj të flas më vonë edhe më ish-shokët e tjerë të ekipit. Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithëve në Club Brugge”.

Dhe të festosh? Kjo është pjesa më e bukur pas një dite të tillë.

“Do të festoj pak. Dua ta shfrytëzoj këtë moment edhe me familjen time”, ka thënë Ardon Jashari.