Cluji është pajtuar për transferimin e Lindon Emërllahut te skuadra Polissya Zhytomyr, në kampionatin elitar të Ukrainës.
Kështu kanë shkruar mediumet rumune të enjten në mbrëmje, ndërsa ka mbetur vetëm përfundimi testeve mjekësore për zyrtarizimin e tij.
Emërllahu do t’i bashkohet skuadrës që aktualisht është e treta në elitën ukrainase me 30 pikë, pesë më pak se LNZ Cherkasy.
Në kampionatin ukrainas luajnë edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë, ndërsa Emërllahu do t’i bashkohet listës.
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Clujit, Iuliu Mureshan.
“Emërllahu është në Ukrainë prej të mërkurës. Ai duhet t’i kalojë testet mjekësore dhe gjithçka mbaron. Nuk po flas për shifra sepse nuk e kam bërë më parë. Mund të them se është një lëvizje e mirë për Clujin, në krahasim me sa kemi dhënë për të dhe sa po marrim tani. Do të mbajmë 15 për qind të kartonit të tij për transferimin e ardhshëm”, ka deklaruar Mureshan të enjten për “Digisport”.
Cluji para afro një viti pagoi 700 mijë euro për mesfushorin e Kosovës. Emërllahu ishte pjesë e Ballkanit deri në shkurt të këtij viti. Javën e kaluar, “Digisport” raportoi se Emërllahu do të përfitojë 350 mijë euro në sezon, ndërsa Cluji do të përfitojë 1.5 milionë euro nga shitja e tij.
Për transferimin e Emërllahut në garë ishte edhe Metalist 1925, në fillim të muajit nëntor. Por, transferimi dështoi për shkak se kërkesat e përfaqësuesve të Emërllahut ishin më të larta për pagën vjetore.