Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Edicioni historik i Dritës

Drita

Pas rrugëtimit historik në Evropë, Drita të shtunën e festoi për herë të dytë rresht titullin e kampionit. 
Te skuadra gjilanase e kanë përfunduar festën e vogël për triumf në kampionatin e Kosovës në futboll. Titullin e pestë në histori, Drita e siguroi tri xhiro para fundit të edicionit, përkatësisht pas fitores 2:0 ndaj rivalit në garë për titull, Ballkanit.

Festën e madhe skuadra gjilanase planifikon ta bëjë pas ndeshjes së fundit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një vit me shumë sfida, sakrificë, mund dhe presion. Deri tash kemi luajtur 49 ndeshje, që është rekord për klubet shqiptare”, tha trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, për KOHËN të dielën. 

“Asnjëherë në karrierën time si lojtar, por edhe si trajner, nuk e kam përjetuar një rrugëtim kaq të gjatë dhe të lodhshëm”.

Njëri prej liderëve të Dritës, Besnik Krasniqi, ka thënë se titulli është arritur pas një sakrifice të madhe.

“Jemi të lumtur që kemi arritur objektivin. Është hera e parë në histori të klubit që e fiton dy herë rresht titullin e kampionit. Kemi pasur rrugëtim të gjatë në Evropë. Ka qenë lodhje, por kemi besuar në grupin ndonëse të tjerët nuk kanë besuar shumë se mund ta fitojmë titullin. Jemi të lumtur për këtë arritje”, është shprehur Krasniqi.

Për rrugëtimin ka folur edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

“Ka qenë një vit shumë i ngarkuar me udhëtime të gjata, ndeshje të shumta. Një vit i veçantë, pasi nuk e kemi pasur më herët. Ka qenë një risi për ne si drejtues, lojtarët dhe shtabin teknik. Kemi mësuar diçka të re, pasi të luash në Evropë dhe të ndjekësh garën për titull nuk ka qenë e lehtë, duke shtuar këtu edhe lëndimet që na kanë përcjellë gjatë gjithë vitit. Në fund kjo arritje është e jashtëzakonshme. Një titull më i veçantë, pasi është hera e parë që arrijmë ta mbrojmë titullin”, thotë Zymberi. 

Trajneri Ramadani vlerësohet arkitekti i sukseseve të Dritës në vitet e fundit. Por shkupjani thotë se meritat shkojnë për lojtarët e tij.

“Më meritorët për këtë sukses janë futbollistët, sepse kanë dhënë gjithçka nga vetja si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje”, është shprehur Ramadani.

Lëndimet, “kundërshtari” i madh

Për trajnerin 48-vjeçar është titulli i pestë në Kosovë. Dy herë e fitoi me Dritën dhe nga një herë me Prishtinën, Feronikelin dhe Trepçën ’89.

“E di që secili trajner do të donte të ishte në vendin tim”, thotë Ramadani.

Për arritjen e madhe të Dritës, Ramadani thotë se kanë kaluar net pa gjumë.

“Nuk kemi orar të punës, punojmë ditën dhe natën. Nuk mjafton asnjëherë koha për të dhënë gjithçka. Nuk është sakrificë vetëm imja, është edhe e stafit tim dhe të gjithëve”.

Gjilanasit janë përballur me lëndime të shumta gjatë gjithë edicionit. Rron Broja e Arb Manaj, ishin prej mungesave të mëdha.

“Ne kishim 24 futbollistë dhe 2-3 javë në stërvitje kishim 12 lojtarë. Kemi pasur bindjen që Zoti nuk lë punëtorin pa shpërblim, atë që është i sinqertë dhe atë që jep maksimumin”. 

Për Dritën, edicioni nisi më 8 korrik. Nisi në raundin e parë kualifikues të Championsit, kurse u eliminua në të dytin. Vazhdoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe sërish u eliminua. U bart në Ligën e Konferencës, ku kaloi plejofin, fazën e ligës dhe u ndal në plejofin e fazës nokaut. 

Dhe sërish për Dritën do të ketë pak pushim. 

Më 16 qershor do ta mësojë kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. 
Në korrik i nis kualifikimet.

Liga e Evropës, synimi i Dritës

Drita synon fazën e ligës në Ligën e Evropës pas suksesit në Ligën e Konferencës.

“Gjithmonë mundohemi të bëjmë progres. Këtë edicion kaluam fazën e ligës dhe u eliminuam në plejof. Nëse themi të kalojmë edhe një xhiro në plejof, nuk besoj se mund të jetë një sukses i madh. Por nëse do ta përsërisnim të njëjtin sukses, do të ishim të gjithë të kënaqur. Megjithatë, nëse duam të bëjmë progres, synimi ynë i madh do të jetë Liga e Evropës, faza e ligës në këtë garë. Do të ishte një hap shumë i madh drejt qëllimeve tona”, ka thënë trajneri shkupjan.

I vetëdijshëm për një tjetër rrugë sfiduese është edhe Besnik Krasniqi.

“Na pret një rrugë mjaft e vështirë, pasi Liga e Konferencës duhet të jetë minimumi që duhet të arrijmë. Por ne kemi synime edhe më të mëdha, pse jo të arrijmë Ligën e Evropës”, thotë mbrojtësi me përvojë.

Për kohën e shkurtër për festë e pushim flet edhe drejtori sportiv, Zymberi.

“Po e shijojmë shumë, por në futboll ka pak kohë për gëzim, sepse na presin punë tjera. Është sfiduese sërish pasi duhet të sjellim prurje të reja, të përgatitemi sa më shpejtë për ndeshjet në Evropë. Kemi pak kohë për pushim”, ka thënë Zymberi.

Por “brengat” e Dritës i dëshirojnë të gjitha klubet e futbollit në vend.