Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu, ka mbërritur në Ukrainë, kanë raportuar të martën mediumet rumune.
Prezantimi i Emërllahut te klubi elitar i Ukrainës, Polissya Zhytomyri, pritet të bëhet shumë shpejt.
Sipas mediumeve rumune, Emërllahu do t’u nënshtrohet kontrollimeve mjekësore dhe më pas do të nënshkruajë kontratë me klubin që renditet në vendin e tretë në kampionatin ukrainas.
Mesfushori i Kosovës do të fitojë 500 mijë euro në vit te klubi i Ukrainës. Kontrata përfshin edhe bonuese, dhe të ardhurat e tij mund të shkojnë deri në 600 mijë euro. Ndërsa Cluji do të fitojë 1.5 milionë euro nga shitja e tij. Po ashtu ka ruajtur 15 për qind të kartonit.
Emërllahu shënoi katër gola dhe bëri dy asistime në 24 ndeshje këtë edicion për Clujin.
Cluji pagoi 700 mijë euro për të transferuar futbollistin e Kosovës nga Ballkani në fillim të këtij viti.