Futboll

Emërllahu, në formacionin e javës në Rumani

Lindon Emërllahu

Pas paraqitjes ndaj Hermannstadtit, Lindon Emërllahu është përfshirë në formacionin më të mirë javës së 12-të të Superligës së Rumanisë në futboll. 

Formacioni më i mirë i javës është përzgjedhur të martën nga faqja zyrtare e Superligës. Emërllahu shënoi gol në fitoren 2:1 të Clujit të dielën e kaluar ndaj Hermannstadtit. Ai e realizoi golin e fitores. 

22-vjeçari Emërllahu këtë edicion në tetë ndeshjet e zhvilluara në kampionat ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim. 

Te Cluji luan edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Meriton Korenica. Emërllahu dhe Korenica janë ftuar nga selektori i Kosovës, Franco Foda, për dy ndeshjet e këtij muaji. 

“Dardanët” të premten nga ora 20:45 e presin Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kurse tri ditë më pas udhëtojnë për në Suedi. 

Ndeshjet janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës, që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.