Pritej që ai të ishte superylli i ardhshëm nga Brazili dhe pjesë e epokës së re “galaktike” te Real Madridi. Por karriera e Endrickut është goditur rëndë.
Talenti 19-vjeçar kishte një edicion të parë premtues te Real Madridi. Ai luajti në 37 ndeshje, ndonëse në shumicën si zëvendësues. Por gjërat nuk po duken mirë nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Endrick ka luajtur vetëm 14 minuta këtë edicion. U aktivizua si zëvendësues në fitoren 4:0 ndaj Valencias.
Dhe tani, për herë të katërt rresht, ylli i ri është lënë jashtë ekipit të Brazilit nga ish-trajneri i tij te Real Madridi, Carlo Ancelotti.
Endrick iu bashkua Real Madridit pak kohë pas ditëlindjes së 18-të, në korrik të vitit 2024. 18 muaj më herët Real Madridi ishte arritur marrëveshje për transferimin e tij nga Palmeirasi.
Kur kaloi në Spanjë, ai tashmë i kishte dhjetë paraqitje dhe tre gola për Brazilin.
Endrick i shënoi shtatë gola në edicionin e parë te Reali, tre më shumë se Vinicius Jr në kampanjën debutuese. Por Endrick luajti vetëm 352 minuta në La Liga. Me Ancelottin që po largohej për ta drejtuar Brazilin, ardhja e Alonsos dukej që do të ofronte mundësi të reja për Endrickun që të dëshmohej i vlefshëm.
Ai pësoi një lëndim në maj dhe kjo e la jashtë Kupës së Botës për Klube. Lëndimi i njëjtë iu shfaq sërish dhe kjo bëri që ai të mungojë në xhirot e para të kampionatit.
U kthye më 20 shtator, por nuk e fitoi rastin në gjashtë ndeshje rresht. Më në fund i luajti 14 minuta ndaj Valencias javën e kaluar.
Alonso vlerëson se Endrick megjithatë ka çka të ofrojë. Nëse jo tani, në periudhë më të vonshme në karrierë. Por momentalisht Alonso favorizon opsione të tjera për sulmin.
Ende nuk ka një vendim te Madridi nëse Endrick do të huazohet. Transferimi diku tjetër momentalisht nuk është në “tavolinë”.
Ka vlerësime se qëndrimi në Madrid, pavarësisht mungesës së hapësirës, i sjell dobi brazilianit. Por te Reali e dinë që 19-vjeçarit i duhen ndeshje dhe se vetëm me paraqitje të rregullta mund të zhvillohet si duhet.
Pasi Kupa e Botës po afrohet, Endrick ka një arsye shtesë për të menduar seriozisht largimin në janar.
Nëse vazhdon të qëndrojë në stol, ai ka pak gjasa të përzgjidhet nga Ancelotti për Botërorin 2026.
Ai gradualisht po zhduket nga horizonti i tifozëve pasionantë brazilianë dhe kjo natyrisht e godet.
Në verë Real Madridi e ka pyetur Endrickun për mundësinë e huazimit, por sulmuesi ka refuzuar. Ai vlerësonte se duke qëndruar te Real Madridi kishte më shumë gjasa që të ftohej nga Brazili. Por tani nuk po luan dhe rrjedhimisht nuk po ftohet.
Klube në Premier League do të ishin shumë të interesuara për brazilianin. Por edhe klube me nam nga top ligat tjera evropiane. Lyoni është një mundësi për huazimin e Endrickut.
Real Madridi ka investuar 72 milionë euro për të siguruar shërbimet e talentit brazilian. Dhe klubi mbretëror spanjoll është i vendosur të mbrojë investimin e bërë. Nëse situata nuk ndryshon shpejt, Reali mund të heqë dorë përkohësisht nga Endrick, me shpresë se ai do të ngrihet në nivelin që i garanton paraqitje të rregullta për skuadrën.