Futboll

Falë transferimit të Hajdarit, Avdullahut dhe të tjerëve, Hoffenheimi po e synon Championsin

Albion Hajdari - Fisnik Asllani - leon Avdullahu

Sky Sport  – Në dy afate kalimtare, drejtori sportiv, Andreas Schicker, dhe drejtori teknik, Paul Pajduch, e kanë transformuar plotësisht Hoffenheimin. Rezultati: nga një skuadër që mezi evitoi rënien, në pretendente për Ligën e Kampionëve.

Hoffenheimi bëri shumë transferime që dolën përforcime të menjëhershme. Deri më tani tranzicioni i ekipit është bërë me sukses.

Në dy afate, klubi gjerman afroi 12 lojtarë. Pesë prej tyre u kthyen nga huazimet. Ndërkohë nga Hoffenheimi u larguan 19 lojtarë, disa prej tyre në huazim. Skuadra aktualisht është në vendin e pestë në tabelën e Bundesligës me 26 pikë, sa i ka Bayer Leverkuseni në vendin e katërt. Kampionatin e kaluar e përfundoi në vendin e 15-të.

Dhe nuk është fshehtësi që Hoffenheimi e arriti këtë pozitë kryesisht për shkak të lojtarëve të transferuar. Albian Hajdari, i transferuar në verë nga Lugano, është i pakalueshëm në mbrojtje. Leon Avdullahu (Basel) dhe Wouter Burger (Stoke City) ofrojnë stabilitet në mesfushë, ndërsa sulmuesit Tim Lemperle (Koln) dhe Fisnik Asllani, i kthyer pas huazimit tek Elversbergu, e po ashtu Bazoumana Toure, që erdhi nga Hammarby në janar, janë prej lojtarëve që bartin barrën e këtij suksesi.
Lojtarë të tjerë të transferuar që ndihmuan suksesin janë: Bernardo, Vladimir Coufal, Muhammed Damar, Leo Ostigard.

Por jo të gjitha përforcimet ishin të suksesshme. 18-vjeçari Deniz Zeitler, i ardhur nga Ingolstadti, ashtu si pritej ka luajtur vetëm në ekipin e dytë në kategorinë e tretë gjermane.
Ndërkohë Gift Orban, që erdhi nga Lyoni në janar dhe u huazua ndërkohë te Verona, si dhe Mërgim Berisha, i kthyer nga huazimit tek Augsburgu, nuk kanë pasur rol të rëndësishëm në skuadrën e trajnerit Christian Ilzer.

Te Hoffenheimi janë të kënaqur me punën e bërë në dy afatet e kaluara kalimtare. Dhe nuk priten ndryshime në afatin kalimtar dimëror. Puna e bërë në verë nga Schicker dhe Pajduch ka bërë që Hoffenheimi të ketë bazën për suksesin e synuar – kualifikimin në Champions.