Futboll

Federata turke i kërkon FIFA-s e UEFA-s ta largojnë Izraelin nga garat

Ibrahim Haciosmanoglu

Presidenti i Federatës së Futbollit të Turqisë, Ibrahim Haciosmanoglu, i ka shkruar Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) dhe Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) për të larguar Izraelin nga garat e futbollit.

Presidenti i federatës turke u ka shkruar edhe federatave nacionale, me kërkesë që të marrin vendim për të ndaluar paraqitjen e Izraelit.

Kërkesa e Turqisë vjen në kohën kur Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) duket se është gati për një votim urgjent për pezullimin e Izraelit nga garat e saj. Votimi do të bëhet javën e ardhshme, ndërsa federatat nacionale të futbollit po përballen me presion politik në rritje, pas thirrjeve për veprim.

“Pavarësisht se pozicionohen si mbrojtëse të vlerave qytetare dhe të paqes, bota sportive dhe institucionet e futbollit kanë heshtur për kohë shumë të gjatë”, shkroi Haciosmanoglu në letër, raporton agjencia “Anadolu”.

“Të udhëhequr nga këto vlera, ne ndihemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me situatën e paligjshme (dhe më e rëndësishmja, plotësisht çnjerëzore dhe të papranueshme) që po kryhet nga shteti i Izraelit në Gaza dhe zonat përreth tij”, shkruan tutje në letrën e presidentit të federatës turke të futbollit.

Haciosmanoglu ka shkruar se situata ishte dëshpëruese për kohë të gjatë, por që në ditët e fundit ka arritur një nivel të ri urgjence, pas ndërhyrjes së institucioneve të ndryshme.

Ofenziva e Izraelit ka vrarë më shumë se 65 mijë njerëz në Gaza.

Në Federatën e Futbollit të Izraelit kanë thënë se nuk kanë shenja se mund të pezullohen nga UEFA. Në federatë kanë theksuar se po bëhen gati për dy ndeshjet e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Izraeli garon në garat e UEFA-s pasi u hoq nga Konfederata Aziatike e Futbollit në vitin 1974. Izraeli ishte larguar nga Azia me votim, pasi disa vende refuzuan të luajnë kundër tij.

Në vitin 1991, UEFA lejoi ekipin përfaqësues të Izraelit të merrte pjesë në garat evropiane. Një vit më pas skuadrat izraelite filluan paraqitjen në garat e UEFA-s. Prej vitit 1994, Izraeli është anëtar me të drejta të plota i  Konfederatës Evropiane të Futbollit.