Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Festë e entuziazëm para ndeshjes që siguron Botërorin

Kosova - Turqia

Foto: Driton Paçarada

Çdo gjë është gati për finalen e plejofit mes Kosovës e Turqisë. Ndeshja ka rëndësi të jashtëzakonshme – siguron pjesëmarrjen në Botëror. Motivimi  te Kosova është maksimal. Deri më tani Kupa e Botës është dukur ëndërr e largët. Tani është një fitore larg. I gjithë vendi po bëhet gati për festë sonte, ndonëse ndeshja nuk vlerësohet aspak e lehtë

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Emocione e entuziazëm.

Festë, këngë e brohoritje. Natë pa gjumë, akuza e dyshime.

Dhe momenti i së vërtetës po afron.

Prej orës 20:45 Kosova mund ta arrijë suksesin më të madh deri më tani – kualifikimin në Kupën e Botës në futboll.

Finalja e plejofit me Turqinë nuk ka të bëjë vetëm me sport. Ka të bëjë me shumë më tepër. Me promovimin e shtetit të Kosovës para së gjithash.

Ende pa nisur finalja, shkrimet për Kosovën janë të shumta dhe në mediat më të fuqishme botërore. Për Kosovën dhe ekipin përfaqësues të saj kanë shkruar “The New York Times”, “The Guardian”, “BBC” dhe shumë e shumë media të mëdha dhe prestigjioze botërore.

Rrëfimi i Kosovës është unik. Vetë arritja në finale të plejofit, pra në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës, është sukses i mahnitshëm.

Por ëndrra e të gjithë shqiptarëve është fitorja sonte ndaj Turqisë dhe paraqitja në Botërorin që pas disa javësh fillon në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Në letër, Turqia është favorite. Për shumë arsye: përvojën, nivelin e futbollit, nivelin e lojtarëve dhe klubet ku luajnë ata.

E tillë ishte edhe Sllovakia, ndaj së cilës Kosova fitoi të enjten. Dhe në vjeshtë edhe Suedia e Sllovenia, ndaj të cilave po ashtu fituan “Dardanët”.

Fusha me letër dallon shumë.

Ka të bëjë, ndër të tjera, edhe me motivin e lojtarëve. Dhe motivi i lojtarëve të Kosovës është maksimal. Ka kohë që futbolli është tema numër një në vend. Entuziazmi i së hënës, në të gjithë vendin, ka kohë që nuk është parë.

Rrjedhimisht motivimi nuk do të jetë problem. Dhe kur skuadra është e motivuar, në krye të saj duhet të jetë një strateg, mendjemprehtë.

I tillë është Franco Foda. Ardhja e gjermanit në krye të Kosovës ka ngritur përfaqësuesen në nivel dukshëm më të lartë.

Ndeshja që luhet sonte në “Fadil Vokrri” është dëshmi.

Foda ka gjetur mënyrën e duhur të lojës. Ndërkohë shumica e lojtarëve janë në nivelin më të lartë në karrierë dhe të gatshëm ta dërgojnë Kosovën aty ku shumë shtete vetëm ëndërrojnë – në Kupën e Botës në futboll.

Kupa e Botës nuk krahasohet me asnjë ngjarje tjetër, jo vetëm sportive. Për një muaj i gjithë fokusi do të jetë në SHBA, Kanada e Meksikë.

Sonte për 90 minuta, e ndoshta për 120 minuta e edhe më shumë, vëmendja do të jetë në stadiumin e vogël në Prishtinë.

Stadiumi ka kapacitet prej gati 14 mijë ulëseve, por për finalen që siguron Botërorin është shumë i vogël. Biletat në treg të zi janë shitur për qindra euro. Por edhe me çmim të lartë vështirë janë siguruar.

Si çdo finale, as kjo nuk do të jetë e lehtë. E motivuar maksimalisht është edhe Turqia, që në ngjarjen e madhe nuk ka luajtur që nga viti 2002.

Edhe Turqia do të ketë përkrahje në stadium, nga të paktën 700 shikues.

Tifozët e Turqisë kanë krijuar atmosferë festive në sheshet e Prishtinës. Natyrisht edhe ata të Kosovës.

Në natën mes së hënës e së martës ka pasur fishekzjarrë në afërsi të hotelit ku qëndrojnë lojtarët turq. U njoftuan për dy të arrestuar, kurse fishekzjarrët u ndezën për të lënë pa gjumë lojtarët mysafirë. Mediat në Turqi kanë raportuar shumë për këtë. Ka pasur edhe akuza të pabazuara nga mediat turke, disa prej të cilave duket se janë të interesuara për mbrëmje të tensionuar.

Gjatë ditës megjithatë nuk ka pasur shenja tensioni. Atmosfera ishte e relaksuar.

Dhe tani është koha për shfaqjen në fushë. Shfaqje që shpresohet se do ta dërgojë Kosovën në ngjarjen që deri më tani është dukur ëndërr shumë, shumë e largët – në Kampionat Botëror.

Lexo përditësimet tjera
Kosova

Finalja për histori - Kosova është gati