Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Fillimi modest, Ronaldo dhe NBA – si u bë yll Kvaratskhelia

Khvicha Kvaratskhelia

Khvicha Kvaratskhelia është stabilizuar si një nga lojtarët më kreativë në futbollin evropian.

Aloja elektrizuese e Paris Saint-Germainit ka ndriçuar Ligën e Kampionëve këtë edicion. Por futbollisti nga Gjeorgjia mban profil të ulët jashtë fushës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

25-vjeçari është përfshirë direkt në njëmbëdhjetë gola – shtatë gola e katër asistime – në njëmbëdhjetë paraqitje në Champions. Është lojtari me kontributin më të madh te Parisi dhe prej lojtarëve me kontributin më të madh në përgjithësi në garë.

Ai shkëlqeu edhe të martën mbrëma në fitoren ndaj Chelseat, duke realizuar golin e parë.

“E konsideroj veten person të thjeshtë”, ka thënë Kvaratskhelia në një bisedë për BBC.

“Mundohem të qëndroj me këmbë në tokë, të dëgjoj familjen dhe të kujtoj gjithnjë se kush jam dhe prej nga jam”.

Shkëlqimi i herhshëm

Shtëpia familjare e Kvaratskhelias në Tbilisi, ku ai u rrit, nuk jep shenja se një yll global i futbollit është zhvilluar aty.

Është shtëpi në blloqet anonime të epokës sovjetike, që popullojnë shumë pjesë të qytetit: beton, pjesë të gërryera, funksionale më tepër sesa e bukur, e rrethuar nga shtëpi identike dhe tinguj të përditshëm të një lagjeje të klasës puntore.

Brenda asaj ndërtese e takuam babanë e Kvaras, Badrin – ish-lojtar i Dinamo Tbilisit dhe Azerbajxhanit – dhe nënën e tij, Makan. Vizitën e bëmë kur djali i tyre luante me Napolin.

Ishte një shtëpi e ngrohtë dhe mikëpritëse. E thjeshtë, jo plot luks, por e mbushur me kujtime.

Kudo që shikoje kishte kujtime të vogla të udhëtimit të tij – fotografi, trofe, fanella. Midis tyre edhe fanella e parë që e veshi për Dinamo Tbilisin.

“Këtu filloi karriera profesionale e Khvichas. Duhet të jetë ajo e Dinamos”, thotë Maka. “Rruga e tij drejt majës filloi këtu”.

Kvaratskhelia ende përdor dhomën e tij të vogël të gjumit sa herë që kthehet. Në një cep ka një tavolinë kompjuteri, një tastierë, kufje të mëdha dhe një lloj karrigeje që përdoret nga lojtarët e lojërave kompjuterike.

Ajo botë e vogël është vendi ku ai zhduket për orë të tëra sa herë që kthehet në shtëpi.

I lindur më 12 shkurt 2001, futbolli që në moshë të re ishte pjesë e pandashme e jetës së gjeorgjianit. Ai ecte me topin, flinte me topin, kujton nëna e lojtarit. Futbolli ishte gjithçka. Por kjo nuk do të thotë se rruga ishte e lehtë.

I zhvilluar në Akademinë e Dinamo Tbilisit, ai bëri debutimin profesionist si 16-vjeçar në vitin 2017. Më pas u transferua te Rustavi dhe pastaj u huazua te Lokomotiva e Moskës ku do të merrte pagën e parë më të madhe. Ato para i mundësuan që të paguante një operacion në zemër që ia shpëtoi jetën babait të tij.

“As që ishte çështje për të”, kujton Badri.

Më 22 maj 2019, 18-vjeçari Kvaratskhelia do të fitonte trofeun e parë të madh – Kupën e Rusisë me Lokomotiv Moskën.

Pasoi transferimi te Rubin Kazani, ku i kaloi tri edicione. Në dy prej tyre u shpall lojtari më i mirë i ri në ligën ruse.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia i dha fund qëndrimit të Kvaras në kampionatin rus. FIFA më 7 mars 2022 njoftoi se të gjithë lojtarët e huaj në Rusi mund të pezullonin në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre deri më 30 qershor dhe të nënshkruan për klube jashtë Rusisë deri në të njëjtën datë.

Ai u kthye në shtëpi, duke nënshkruar për klubin gjeorgjian, Dinamo Batumi.

Paraqitja e klubeve të mëdha

Ishte një ndalje e shkurtër.

Më 1 korrik 2022, Napoli e transferoi për 9,5 milionë funte.

Forma e tij për klubi italian dhe tifozët e zjarrtë ishte vendimtare në kampanjën që përfundoi me titullin e parë në Serie A pas 33 vjetësh. Dhe ai mori nofkën “Kvaradona”.

Por ishte vetëm çështje kohe para se klubet vërtetë të mëdha të paraqiteshin. Dhe në janar 2025, Kvaratskhelia u bë lojtari i parë nga Gjeorgjia që transferohej te PSG-ja. Kalimi ishte i vlefshëm 59 milionë funte, pa llogaritur bonuset.

Erdhën tre trofe të mëdhenj, duke përfshirë atë të Ligës së Kampionëve. Ai shënoi në finale të Championsit.

Driblues i drejtpërdrejtë, aftësia e Kvaras buron nga zhvillimi i hershëm në hapësira të ngushta në Gjeorgji, kurse është rafinuar përmes videoanalizave individuale dhe ushtrimeve specifike të ndryshimit të drejtimit dhe të reagimit.

Ndryshimi shpërthyes i drejtimit është arritur me punë force, pliometrikë dhe ushtrime koordinimi. Ai zotëron goditje të fuqishme dhe të pastër, që është sofistikuar nga përsëritjet e vazhdueshme në moshë të re.

Si shumë të tjerë të gjeneratës së tij, gjeorgjiani e ka Cristiano Ronaldon si referencës. Vlerësohet edhe për punën në mbrojtje dhe mentalitetin garues. Kjo vjen nga edukimi i bazuar në përgjegjësi dhe respekt.

“Ndihem i rëndësishëm brenda grupit, por gjëja më e rëndësishme është ekipi. Të gjithë ndajmë përgjegjësi në momente kyçe”, thotë Kvaratskhelia.

Ai është ende duke mësuar, sidomos lojën në mbrojtje. Shumicën e përmirësimeve të bëra për lojën në mbrojtje, ia atribuon ish-trajnerit te Napoli, Antonio Conte.

Në procesin e të mësuarit, ylli i PSG-së shikonte filma të vjetër të disa prej heronjve të tij të futbollit. Në veçanti magjinë e Ronaldinhos dhe mundohej të kopjonte ato lëvizje në stërvitje. Pastaj i shtonte në lojën e tij.

I inspiruar nga NBA-ja

Prej se u transferua te PSG-ja, Kvaratskhelia është shoqëruar natyrshëm me ndeshje me vlerë të madhe, si sportistët që admiron.

Jashtë fushës së futbollit, ai është tifoz i madh i NBA-së. Ka përmenduur Kobe Bryantin dhe Kevin Durantin si dy prej sportistëve që admiron.

“Gjithmonë i kam shijuar ndeshjet e mëdha”, thotë Kvaratskhelia.

“Janë ndeshje që çdo sportist dëshiron t’i luajë. Ka më shumë presion, më shumë intensitet, por edhe më shumë motivim. Aty mund ta tregosh vërtetë personaltetin tënd”.

Ai është aq i rezervuar dhe i relaksuar jashtë fushës, sa është i patrembur dhe agresiv brenda në të. Ata që e njohin Kvaran, flasin për një burrë tëe qëndrueshëm, të përulur dhe familjar të mbyllur.

Miqtë e tij theksojnë bujarinë e futbollistit – një tipar që e ka pasur gjithnjë, madje edhe kur kishte pak para.

Patriot i madh, ai kupton se përfaqëson më shumë sesa veten e tij në fushë. Është i vetëdijshëm se shërben si model për brezin e ardhshëm të të rinjve gjeorgjianë.

“Është shumë e rëndësishme për mua ajo se prej nga vij. Në Gjeorgji, identiteti është diçka shumë e rëndësishme dhe përpiqem ta përfaqësoj atë sa herë që shkel në fushë”.

Gjeorgjianët janë të njohur për ndjenjë e tyre të fortë të identitetit, krenarinë për kulturën e tyre dhe një qëndrueshmëri thuajse kokëfortë, të krijuar nga shekuj mbijetese midis perandorive.

Kvaratskhelia mishëron të gjitha këto – i patrembur dhe mban vendin e tij me vete sa herë që vrapon drejt një mbrojtësi.

“Unë jam këtu. Pra është e mundur. Ju mund të arrini këtë nivel”, është porosia e Kvaras për të rinjtë gjeorgjianë.