7:0 ndaj Gjibraltarit e më pas 5:1 ndaj Çekisë. Kroacia vazhdon shkëlqimin në futbollin ndërkombëtar, ndonëse shumë kanë pritur që kroatët të kenë rënie. Me dy fitoret e këtij muaji, të përzgjedhurit e Zlatko Daliqit kanë bërë hap të madh drejt Botërorit. Rivalen kryesore në grup vlerësohet se e kanë Çekinë, por të cilën e “shkatërruan” të hënën mbrëma në Osijek, në praninë e 12 mijë shikuesve.
Në Grupin L janë edhe Mali i Zi, Ishujt Faroe dhe Gjibraltari. Asnjëra prej tyre nuk vlerësohet rivale e denjë e Kroacisë.
Luka Modriq vazhdon të jetë lideri i pakontestueshëm i kroatëve. Kroacia ka edhe shumë lojtarë të tjerë me përvojë në nivelin më të lartë. Por thuajse vazhdimisht promovon talente të reja. Për shembull ndaj Çekisë debutoi talenti 18-vjeçar, Luka Vushkoviq. Madje bëhet fjalë për mbrojtës. Rrallë ndodh që një mbrojtës ta fitojë rastin në moshë kaq të re.
Mediat kroatet kanë shkruar me nota shumë pozitive për paraqitjen ndaj Çekisë. Fitoren e kanë vlerësuar thuajse vendimtare për kualifikim në Botëror, ndonëse është vetëm fillimi i kampanjës kualifikuese. Ka pasur shkrime se si dikur çekët i kanë “mësuar” kroatët për futbollin e tani kanë pësuar humbje 5:1. Mediumi “gol.hr” ka shkruar se ndoshta kroatët janë brazilianët e Evropës.
“Ndoshta më mirë të thuhet brazilianë të vjetër si Ronaldo, Ronaldinho, Romario”.
39-vjeçari Modriq po vazhdon shkëlqimin te Kroacia. Ai bëri asistim mjeshtëror, ndërsa shënoi gol nga penalltia. Tani i ka 28 gola dhe 30 asistime në plot 188 paraqitje për Kroacinë.
Me fitore, Kroacia kthehet në top-10 të ranglistës botërore. Në fakt paraqitja në ngjarje të mëdha thuajse asnjëherë nuk paraqet sfidë për Kroacinë. Në dekadën e fundit, falë edhe udhëheqjes mjeshtërore të Modriqit në fushë dhe punës së Daliqit si selektor, kroatët kanë pasur suksese të mëdha në ngjarjet e futbollit.
“Kemi dëshmuar se sa i takon futbollit evropian kemi kualitet të nivelit të lartë. Nuk e di nga dalin gjithë këto talente. Ishte një mbrëmje fantastike. Përfaqësuesja ka dëshmuar edhe një herë që kur duhet të luajë futboll, ofron paraqitje mbresëlënëse”, ka thënë trajneri i njohur kroat, Zoran Vuliq.
Selektori i Çekisë, Ivan Hashek, po ashtu ka folur për numrin e madh të lojtarëve cilësorë që prodhon Kroacia.
“Kroatët e kanë sportin në gjak, sidomos atë ekipor, pavarësisht nëse bëhet fjalë për futboll, basketboll apo diçka tjetër. Është i pabesueshëm numri i lojtarëve që kanë dalë në 15 vjetët e fundit. Lojtarë të rinj që shkojnë në klube të mëdha për shumë të mëdha parash. Ata zëvendësojnë veteranët, që ende janë në formë të mirë”, ka theksuar Hashek.
Edhe në Kroaci ka vazhdimisht shkrime se si lojtarët më të rëndësishëm janë në fund të karrierës, në të tridhjetat. Kjo temë nuk përfundon asnjëherë, por selektori kroat Daliq vazhdon t’u besojë plotësisht atyre. Dhe krahas veteranëve në skenë dalin vazhdimisht lojtarë të rinj. Kjo vlerësohet prej arsyeve kryesore për suksesin e Kroacisë. Natyrisht, dallimin e bën dëshira e lojtarëve më të mirë të Kroacisë për të luajtur për përfaqësuesen. Për shembull Modriq është larguar nga Real Madridi pas një edicioni të gjatë. Është në proces që të vendosë për skuadrën e ardhshme, por ka vendosur të grumbullohet me përfaqësuese dhe ta udhëheqë atë drejt sukseseve të reja.
“Thuhet se skuadra ndërtohet nga mbrojtësit me përvojë dhe tutje. Por kur është Kroacia në pyetje, ne shkojmë në drejtim të kundërt. Të gjitha bien në ujë. Veteranët tanë luajnë në ofenzivë sikur të rinjtë të mësojnë prej tyre, sikur të jenë mësues dhe nxënës të vetes së tyre në të njëjtën kohë. 12 gola në dy ndeshje. E pabesueshme. Kjo Kroaci e konfirmon rregullin e vjetër. Nuk ka të rinj e të vjetër. Ka vetëm të tillë që dinë dhe të tillë që ende mësojnë dhe kanë privilegjin të mësojnë prej më të mirëve”, ka shkruar sajti “germanijak.hr”.