Mbrojtësi i Kosovës, Leart Paçarada, me Kolnin të premten mbrëma kanë bërë hap të madh drejt inkuadrimit në Bundesligë.
Kolni e mposhti në udhëtim Nurnbergun me përmbysje të rezultatit 2:1. Kjo ndeshje i takoi javës së 33-të të kategorisë së dytë të futbollit gjerman.
Një xhiro para fundit, Kolni është ngritur në pozitën e parë me 58 pikë.
Hamburgu e zë vendin e dytë me 56 pikë por e ka edhe një ndeshje më pak të luajtur. Elversbergu ka katër pikë më pak në vendin e tretë. 52 pikë i ka edhe Paderborni në vendin e katërt.
Dy skuadrat e para në fund të edicionit kalojnë në Bundesligë, derisa e treta luan në plejaut.
Kolni nëse shënon fitore në xhiron e fundit edhe matematikisht e siguron inkuadrimin në elitën e futbollit gjerman.
Golat për Kolnin i realizoi Florian Kainz në minutën e 67-të dhe të 90-të.
Ndërkohë Janis Antiste e shënoi golin e vetëm për Nurnbergun në minutën e 46-të.
Paçarada e kompletoi ndeshjen te Kolni dhe ishte prej më të mirëve në fushë.
Nurnbergu ka 45 pikë dhe e zë vendin e dhjetë.