Futboll

Flick shumë i kënaqur me dominimin e Barcelonës

Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është i kënaqur me paraqitjen e përgjithshme të lojtarëve të tij në edicionin dominues në Spanjë, që kulmoi me titullin e 28-të të La Ligas. Barça e siguroi titullin të enjten mbrëma, me fitoren 2:0 në fushën e “nxehtë” të Espanyolit.

Barcelona është e pamposhtur në garat vendore që nga fundi i dhjetorit. Ka fituar edhe Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, duke dominuar plotësisht ndaj Real Madridit.

“Mendoj se sidomos në pjesën e dytë të edicionit ishim të mahnitshëm. Nuk kemi humbur ndeshje dhe kjo është gjë madhështore. Urime për ekipin, për klubin dhe tifozët. Jemi shumë të lumtur me atë që kemi arritur”, ka thënë Flick në konferencë për shtyp.

“Nuk mendoj se kisha kohën e duhur që ta shpjegojë gjatë kampionatit, por ka vlerë të madhe kultura që kemi krijuar, që kjo familje ka krijuar. Shumë punë është bërë, me shumë pasion dhe mentalitet të duhur. Është vërtetë bukur të shikosh këtë familje që kemi krijuar. Se si kujdesemi për njëri-tjetrin, është unike, jam shumë i kënaqur”, ka shtuar trajneri gjerman.

Flick ka lavdëruar Lamine Yamalin, por ka thënë se Barcelona është shumë më tepër se vetëm 17-vjeçari.

“Është La Liga e Barcelonës. Nuk ka të bëjë me një lojtar. Natyrisht, Lamine ishte i rëndësishëm por ne jemi ekip dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ekipi si i tërë”, ka vazhduar Flick.

Ai thotë se të gjithë e kanë bërë punën mirë.

“Jemi ekip dhe kjo është ajo që kemi dashur. Kemi dhënë versionin më të mirë të këtij klubi. Të gjithë tifozët mund të jenë krenarë”.