Futboll

Foda shpreson në fitore ndaj Sllovenisë

Foda

Fitorja ndaj Sllovenisë do të rriste maksimalisht gjasat për të siguruar plejofin për Kupën e Botës që në vitin 2026 organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Por për ta fituar ndeshjen kundër Sllovenisë, përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, pret ndihmën e publikut nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Thirrjen për mbështetje Foda e bëri të hënën në konferencë për media. 

Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë zhvillohet të premten prej orës 20:45 në Prishtinë.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira. Mirëpo duke qenë se skuadra ka fituar ndaj Suedisë, kemi treguar kapacitetet tona, kemi treguar pasion, kemi treguar edhe vendosmëri dhe skuadra e ka parë që ka mundësi të fitoj edhe kundërshtarëve të tillë”, ka thënë Foda.

Ai ka treguar anët e forta të Sllovenisë. Por insiston se Kosova synon fitore ndaj sllovenëve.

“Sllovenia është një skuadër shumë e fortë, shumë e fuqishme. Ka mbrojtje shumë të mirë po ashtu në sulm. Ka përvojë të hatashme por tani ne në seancat e radhës stërvitore do të stërvitemi në mënyrë shumë të mirë dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjet e ardhshme si dhe dihet se në shtëpi kemi mundësi më të mirë pasi që e kemi publikun prapa nesh që na mbështet dhe shpresojmë që të jemi të gatshëm që të triumfojmë”, thotë Foda.

Kosova ndaj Sllovenisë luan pas fitores së madhe kundër Suedisë muajin e kaluar në “Fadil Vokrri”. “Dardanët” mposhtën Suedinë në Prishtinë me rezultat 2:0. Fitorja ndaj suedezëve ishte reagim pas humbjes së thellë nga Zvicra 4:0 në Basel.

“Ndeshja kundër Zvicrës nuk ka shkuar ashtu siç kemi dëshiruar ne, nuk kemi pasur fat të mirë sidomos në mbrojtje. Nuk ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar. Pas lojës kemi bërë analizat tona dhe kemi ndërmarr ndryshimet sidomos duke qenë se Amir Rrahmani ka munguar por kemi mundur që ta kompensojmë atë humbje. Pastaj kemi vazhduar me një mbrojtje me tre persona. Por kundër Suedisë pastaj me ndryshimet e ndërmarra kemi treguar një shpirt ekipor shumë të mirë. Jemi mbrojtur mirë dhe kemi sulmuar mirë. Kemi luajtur bashkërisht si ekip”, është shprehur Foda.

Fitorja ndaj Suedisë ka rritur entuziazmin

Foda ka shtuar se fitorja ndaj Suedisë i takon së kaluarës. Fokusi thotë është fillimisht për ndeshjen ndaj Sllovenisë e më pas kundër Suedisë.

“Futbolli nuk luhet për të kaluarën por për të ardhmen dhe tani kjo ndeshje kundër Suedisë i takon së kaluarës. I kemi marrë tri pikët shumë të rëndësishme, por duhet të shohim tutje, duhet të shohim në të ardhmen dhe tani kemi krijuar një vetëbesim të mirë dhe pres nga lojtarët që kundër një ndeshje si ndaj Sllovenisë, tani një ndeshje e re të angazhohen maksimalisht dhe të japin kualitetin e tyre maksimal në ndeshjet e radhës”, ka thotë Foda.

Me fitoren ndaj Suedisë, Kosova është kthyer në garë për kualifikim në Botëror.

Zvicra ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.

“Fitorja kundër Suedisë, ka krijuar shumë vetëbesim dhe ka ndryshuar situatën në përgjithësi. Tani të gjithë besojmë dhe shpresojmë që mund të arrijmë vendin e dytë. E kam potencuar një herë se duhet të paraqitemi si ekip, tani të gjithë i kemi këto emocione por një gjë është shumë e rëndësishme për të arritur vendin e dytë ne duhet të paraqitemi si ndaj Suedisë. Ndaj Sllovenisë duhet të kemi një shpirt ekipor por besoj që jemi në gjendje që të fitojmë ndeshjen e radhës ndaj Sllovenisë”, ka theksuar tekniku gjerman.

Foda flet për kthimin e Zhegrocës, mungesën e Rrahmanit dhe ardhjen e Hajdarit

Pasi përzgjedhësi i Kosovës, Foda, foli për rëndësinë e ndeshjes ndaj Sllovenisë, u përgjigj edhe në pyetjet për kthimin e Edon Zhegrovës, mungesën e kapitenit Amir Rrahmani dhe ardhjen e Albian Hajdarit.

“Më e rëndësishmja është që tani Edoni ka gjetur një ekip të ri, Juventusin. Po ashtu është shumë e rëndësishme që ai është i gatshëm dhe është në dispozicion të luaj për Kosovën. Gjitha gjërat tjera do t’i diskutoj personalisht me Edonin dhe me lojtarët e tjerë. Tani para nesh i kemi katër seanca stërvitore dhe në këto seanca stërvitore do t’i shikoj gjithë lojtarët dhe do të shoh se cili është në gjendje të luaj për Kosovën dhe si do ta kemi formacionin startues”, thotë ai.

Foda ka theksuar se Amir Rrahmani është mungesë e madhe. Por ai i gëzohet ardhjes së Hajdarit.

Krahas Rrahmanit, Kosovës për shkak të lëndimeve i mungojnë edhe Florent Hadergjonaj, Leart Paqarada, Vesel Demaku dhe Baton Zabergja. Lumbardh Dellova është grumbulluar me skuadrën, por paraqitja ndaj sllovenëve është në dyshim.  

“Amir Rrahmani nuk është i rëndësishëm vetëm në fushë por edhe jashtë saj pasi që është lider i kombëtares. Po tani kemi lojtarin e ri Albianin i cili ka vendosur fatmirësisht për Kosovën dhe është hera e parë që është i pranishëm dhe natyrisht do të ketë mundësi që të jetë në formacionin startues, mirëpo gjatë këtyre ditëve do të shohim qartë se kush në çfarë gjendje është dhe se a do të jetë në formacionin startues, këtë vendim do ta marrë të premten më së largu”, është shprehur Foda.

Foda ka arsyetuar vendimin pse nuk i ka ftuar Bersant Celinën dhe Emir Sahitin. Ky i fundit nuk ka luajtur asnjë minutë në katër ndeshjet e fundit për Hamburgun. Ndaj Bayernit ishte në stol, kurse fare nuk ishte përfshirë në skuadër në tri ndeshjet e fundit në Bundesligë. Celina ka treguar paraqitje të mira, por në ofensivë Kosova ka lojtarë që luajnë në liga më të mëdha evropiane. Ai ka thënë se nuk ka asnjë problem me Celinën, Sahitin dhe lojtarët tjerë të Kosovës. Ka theksuar se lojtarët duhet t’i pranojnë vendimet e trajnerit.

“Për mua është shumë me rëndësi që kur të kemi kësi takimesh të flitet për lojtarët të cilët janë të pranishëm dhe jo për ata të cilët nuk janë të pranishëm”, ka thënë Foda.

Për Kosovën e Slloveninë është përballja e tretë. Pesë vjet më parë, Kosova i humbi dy ndeshjet. Humbi fillimisht në Prishtinë 1:0, kurse në Lubjanë 2:1. Pas pesë vjetësh Kosova e pret Slloveninë, tani në rrethana të tjera.

Këtë herë me tribunat plot, me atmosferë pozitive dhe një skuadër të kompletuar me emra të konfirmuar.