Sipërmarrësi Manfred Hohensinner ka nisur një projekt unik mjedisor dhe social. Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka qenë pjesë e këtij projekti prej fillimit, shkruan gazeta austriake “Kronen Zeitung”.
“Mendoj se në fakt isha ambasadori i parë ndonjëherë”, buzëqesh ish-trajneri i Sturm Grazit.
Mediumi austriak ka shkruar se Foda po e ndihmon vendin e vogël ballkanik të ëndërrojë pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës.
Gazeta austriake ka shkruar për përurimin e një livadhi të ri me bletë, ku i pranishëm ishte edhe selektori i Kosovës, bashkë me fëmijë të një kopshti.
“Isha vërtet i mahnitur dhe i emocionuar se sa shumë dinë fëmijët tashmë dhe sa të interesuar janë për këtë temë”, ka theksuar Foda.
Foda thotë se nuk ka alternativë tjetër përveç ruajtjes së specieve.
“Sidomos pasi tani jam gjysh krenar i dy nipërve dhe mbesave. Kjo është arsyeja pse duhet ta përcjellim mesazhin tonë – sepse pa bletë, jeta nuk do të ishte e mundur”, ka thënë Foda.
Foda 59-vjeçar mori drejtimin e Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar. Kosovën e ka drejtuar në 15 ndeshje.