Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Gallapeni në moment të vështirë para ndeshjes më të rëndësishme

Dion Gallapeni  Wisla Plock

Dion Gallapeni

Dion Gallapeni shkëlqeu për Kosovën në kualifikimet e rregullta për Kupën e Botës 2026. Pasi luajti në pjesën e dytë ndaj Zvicrës në ndeshjen hapëse, ai startoi në të gjitha pesë ndeshjet e tjera. KOHA e vlerësoi zbulim të vitit.

21-vjeçari mbuloi me sukses të plotë pozitën e mbrojtësit të majtë. Por besimin që e ka te Franco Foda, Gallapeni nuk po e ka te trajnerët në nivel klubesh. Në pjesën e parë të kampionatit kishte telashe me minuta te skuadra polake, Widzew Lodz. Saktësisht një muaj më parë, ai u huazua nga Lodzi te skuadra tjetër e elitës polake, Wisla Plock. Por pozita nuk iu është përmirësuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më 21 shkurt nuk u përfshi fare në skuadër për ndeshjen ndaj Legias. Më 2 mars startoi ndaj Zaglebies, ndërsa luajti vetëm 57 minuta në humbjen 2:0. Më 9 mars qëndroi në stol në humbjen 3:0 të Wisla Plock nga Arka Gdynia, ndërsa të shtunën sërish ishte vetëm në stol në fitoren 2:1 të Wislas ndaj Cracovias.

Kjo nënkupton që Gallapeni është në moment të vështirë para ndeshjes më të rëndësishme të Kosovës.

Kosova më 26 mars në Bratislavë luan ndaj Sllovaksë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror.

Wisla, që mban pozitën e shtatë në elitën polake, e ka edhe një ndeshje deri atëherë. Më 21 mars luan në udhëtim ndaj Jagiellonias. Nëse Gallapeni nuk aktivizohet në atë ndeshje, atëherë nuk do të ketë minutat e duhur “në këmbë”, të vlefshëm para grumbullimit me përfaqësuese.

Kur kaloi te skuadra e re, Gallapeni ishte i entuziazmuar.

“Mendoj se te Wisla Plock do të rilindem si lojtar”, kishte deklaruar ai.

Natyrisht një muaj nuk është shumë për përshtatjen e një lojtari në ekipin e ri. Por për Gallapenin, e po ashtu për Kosovën, ishte muaj i rëndësishëm, ndërsa dhjetëditëshi i ardhshëm është edhe më i rëndësishëm.

Pavarësisht se nuk luajti në dy takimet e fundit, Gallapeni pritet të jetë opsioni i parë i Fodas për mbrojtës të krahut të majtë. Gjasat janë të vogla që tekniku gjerman të bëjë ndryshime të shumta në formacionin që solli suksesin historik, përkatësisht plejofin.

Për më tepër, opsionet për mbrojtës të krahut të majtë në sistemin 3-5-2, e që në sulm shndërrohet në sistemin 5-3-2, nuk janë të shumta.

Leart Paqarada, që e ka pozitë të natyrshme atë që e mbulon Gallapeni, mungon edhe kohë të gjatë për shkak të këputjes së ligamenteve.

Zhvendosja e ndonjë mbrojtësi të qendrës apo mbrojtësi të krahut të djathtë në anën e majtë, nuk vlerësohet opsion shumë i mundshëm.

Mos-aktivizimi në nivel klubi, e ka edhe një “anë” pozitive – motivimin për të dëshmuar te Kosova, në ndeshjen e madhe e në skenën e madhe, se sa i vlefshëm është si lojtar.

Kalimi nga Prishtina te Lodzi polak ishte vlerësuar hap i madh për karrierën e Dion Gallapenit. Por ndoshta është koha që ai të mendojë për ndonjë ligë tjetër, ku do të vlerësohej më shumë. Ashtu si vlerësohet te Kosova.