Gennaro Gattuso po i afrohet punës së tij të re si trajner i Italisë me të njëjtën vendosmëri dhe luftë që shfaqte dikur në fushë si një mesfushor i guximshëm.
Duke zëvendësuar Luciano Spallettin e shkarkuar nga katër herë kampionia e botës, Italia, që është në rrezik për të mos u kualifikuar për herë të tretë rresht në Kupën e Botës, Gattuso e di se nuk ka vend për gabime.
“E di që nuk është një punë e lehtë, por asgjë nuk është e lehtë në jetë”, tha Gattuso gjatë prezantimit të tij të enjten. “Nuk ka shumë për t’u thënë. Ka punë për t’u bërë”.
“Duhet të hyj brenda kokave të lojtarëve. Dëgjoj shpesh se nuk kemi më talente ose lojtarë të mirë. Por mendoj se i kemi lojtarët .Thjesht duhet t’i vendosim lojtarët në formë për të pasur sukses. Duhet ta kthejmë Italinë në Kupën e Botës. Ky është qëllimi”.
Spalletti u shkarkua pasi Italia humbi ndeshjen e parë kualifikuese 3:0 nga Norvegjia. Azzurrët janë tashmë nëntë pikë prapa Norvegjisë në grupin e tyre kualifikues për Kupën e Botës – megjithëse kanë luajtur dy ndeshje më pak se liderja.
Debutimi i Gattusos do të jetë më 5 shtator në shtëpi kundër Estonisë. Izraeli është po ashtu në grupin I me pesë ekipe.
Italia pret Norvegjinë në ndeshjen e fundit të ciklit eliminator. Ndeshja luhet më 16 nëntor. Vetëm fituesi i grupit avancon direkt në turneun e vitit të ardhshëm, i cili do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Nënkampioni i grupit luan në plejof.
Italia nuk u kualifikua në Kupën e Botës 2018 dhe 2022.
Por problemet e Italisë janë shfaqur më herët. Azzurrët nuk kanë kaluar fazën e grupeve në Botërorin e vitit 2010 dhe 2014.
Megjithatë, Gattuso mbetet pjesë e ekipit të Italisë që fitoi në vitin 2006 për herë të fundit Kupën e Botës.
“Ai iu përgjigj pa asnjë hezitim thirrjes sonë dhe me të njëjtin entuziazëm si kur u thirr si lojtar në ekipin kombëtar”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina. “Dhe jo thjesht entuziazëm. Është në të vërtetë shumë më tepër: frymë e madhe sakrifice, profesionalizmi dhe përkushtimi të madh. Ai më tha menjëherë se askush nuk fiton i vetëm, fitohet si skuadër dhe si grup”.
Rregullat e reja për lojtarët e lënduar
Gattuso tha se dëshiron të vendosë një standard të ri përkushtimi, ku edhe lojtarët e lënduar të qëndrojnë në qendrën stërvitore të ekipit kombëtar.
“Kemi shumë fizioterapistë dhe staf mjekësor”, tha Gattuso. “Nëse do të kisha dëgjuar trupin tim, do të kisha luajtur 50 ndeshje më pak. Duhet të shkojmë përtej limiteve tona”.
Chiesa dhe Acerbi
Gattuso tha se ai tashmë kishte telefonuar 35 lojtarë, përfshirë Federico Chiesan.
Chiesa ishte një lojtar i shquar në ekipin e Italisë që fitoi Evropianin në vitin 2021, por nuk ka luajtur shumë qëkur u largua nga Juventusi për në Liverpool vitin e kaluar.
“I thashë Chiesas se duhet të gjejë një mënyrë për të luajtur rregullisht”, tha Gattuso.
Një lojtar që Gattuso nuk e thirri ishte mbrojtësi 37-vjeçar Francesco Acerbi, i cili refuzoi thirrjen e Italisë për ndeshjen kundër Norvegjisë, ku pritej të shënonte Erling Haaland.
“Unë e respektoj atë”, tha Gattuso. “Por unë thirra lojtarë të tjerë, më të rinj, të cilët mendoj se mund të na ofrojnë diçka”.