Futboll

Gjilani ndan rrugët me Nuhiun

Ardian Nuhiu

Ardian Nuhiu nuk është më trajner i Gjilanit. 

Skuadra gjilanase të hënën ka njoftuar se me marrëveshje të dyanshme ka vendosur që t’i ndaj rrugët me Nuhiun. 

Ky vendim vjen pas rezultateve negative të Gjilanit deri më tani këtë edicion. 

Në shtatë xhirot e luajtura, Gjilani ka katër humbje, dy fitore dhe një barazim. Renditet në pozitën e shtatë me shtatë pikë. 

“Gjilani njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se pas një bashkëpunimi korrekt dhe profesional, në mënyrë të dyanshme është mbyllur bashkëpunimin me kryetrajnerin Ardian Nuhiu. Klubi e falënderon trajnerin Nuhiu për punën, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës që ishte pjesë e Sport Club Gjilani. Puna dhe profesionalizmi i tij do të mbeten gjithmonë të vlerësuara nga të gjithë ne”, ka shkruar klubi gjilanas në rrjetet sociale. 

46-vjeçari Nuhiu drejtimin e Gjilanit e morri nga viti i kaluar.

"Si njeri që e kam bazuar gjithmonë karrierën time mbi parime dhe vlera, kam vendosur ta përfundoj kontratën time. Kam dhënë maksimumin tim në çdo moment bashkë me stafin dhe skuadrën, kemi punuar me përkushtim të plotë, por në disa raste ka munguar edhe fati sportiv. Besoj se në jetë vlerat, respekti dhe vlerësimi i duhur për situata si kjo kanë më shumë rëndësi sesa thjesht një kontratë. Kam shumë besim te këta djem dhe e di se ata do të vazhdojnë të japin gjithçka. Megjithatë, gjatë gjithë jetës sime kam synuar të jem korrekt, i sinqertë dhe i ndershëm, ndaj mendoj se ky është momenti i duhur për të dhënë dorëheqjen. E marr këtë vendim nga respekti i madh për një klub kaq të rëndësishëm dhe me histori si Gjilani. Nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja për këta djem që kanë dhënë maksimumin në çdo stërvitje, edhe pse në ndeshje mund të kishte pasur rezultate më të mira. Dua të falënderoj nga zemra presidentin, drejtorin, drejtuesit menaxherial, stafin tim, stafin mjekësor, ekonomët e klubit, futbollistët dhe tifozët e mrekullueshëm për mbështetjen dhe besimin. Gjilani ka objektiva të mëdha dhe po bëjnë një punë të shkëlqyer për të ecur përpara dhe unë do të jem mbështetës”, ka shkruar Nuhiu.