Futboll

Golat e Manajt e dy asistimet e Ethemit s’i mjaftojnë Sivassporit

Rey Manaj

Rey Manaj shënoi dy gola e Valon Ethemi bëri dy asistime të shtunën pasdite për Sivassporin në përballjen ndaj Vansporit.

Sivasspori në kuadër të xhiros së 25-të të kategorisë së dytë të futbollit turk barazoi 3:3 në shtëpi me Vansporin.

Ethemi që përfaqëson Maqedoninë e Veriut fillimisht asistoi te goli i epërsisë 1:0 të cilin e shënoi Aaron Appindangoye në minutën e tetë.

28-vjeçari Ethemi asistoi edhe për Rey Manajn i cili shënoi për 2:0 në minutën e 28-të.

Katër minutë më pas, reprezentuesi i Shqipërisë, Manaj, e realizoi edhe golin e tretë për Sivassporin.

Sulmuesi i krahut, Ethemi, këtë edicion ka katër gola dhe pesë asistime.

Për qendërsulmuesin Manaj ishin dy golat e parë që prej kthimit te Sivassi si lojtar i lirë.

28-vjeçari Manaj e kompletoi ndeshjen, kurse Ethemi u paraqit deri në minutën e 32-të.

Ndërkohë në kategorinë e dytë të futbollit turk të shtunën gol ka shënuar edhe Jetmir Topalli në fitoren 3:0 të Seriksporit ndaj Bandirmasporit.