Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Granit Xhaka nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës

Granit Xhaka

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Zvicrës, Murat Yakin, konfirmoi se Granit Xhaka, nuk do të pensionohet pas Kupës së Botës 2026.

Yakin u pyet për të ardhmen e Xhakës gjatë emisionit të futbollit “Blue Sport”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Yakin insiston se Botërori nuk do të jetë “vallëzimi i fundit” i Xhakës me fanellën e Zvicrës.

Ai ka theksuar se Xhaka do të paraqitet për Zvicrën edhe pas Botërorit që mbahet pas disa javësh në SHBA, Meksikë e Kanada.

“Jo, absolutisht jo. Nuk mund ta imagjinoj. Për sa kohë që ai është në këtë gjendje shëndetësore, ai do të luajë sa më gjatë të jetë e mundur”, deklaroi Yakin për kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka.

“Gjithashtu e di me siguri se ai nuk do të tërhiqet pas Kupës së Botës. Jam i kënaqur për këtë”. 

Kapiteni i Sunderlandit, mban rekordin për paraqitje me fanellën e Zvicrës. Ai ka luajtur plot 144, më shumë se çdo futbollist tjetër i Zvicrës. 

Ai pritet ta çoj edhe më tej numrin e paraqitjeve të tij me fanellën e përfaqësueses helvetike të futbollit.

Pas ndeshjeve përgatitore për Kupën e Botës dhe paraqitjes në Botëror, Zvicra do të paraqitet në Ligën e Kombeve. Më pas, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe nuk ka telashe me lëndime, ai do të marrë pjesë në kualifikimet për Evropianin e vitit 2028, vit kur i skadon kontrata aktuale përzgjedhësit Murat Yakin. 

Xhaka pati një fillim jo shumë të mirë me Yakin, dhe gati tre vjet më parë, kapiteni i ekipit përfaqësues të Zvicrës, madje kritikoi publikisht seancat stërvitore të Yakinit.

Pas vështirësive në fillim – në vjeshtën e vitit 2023, kapiteni dhe Yakin kanë gjetur gjuhë të përbashkët. Tani, duket se nuk ka mosmarrëveshje dy “alfave”. Xhaka thuajse luan rolin e ndihmësit të Yakinit në fushë. 

Edhe pas Euro 2024, kur e ardhmja e Yakin ishte ende e pasigurt, Xhaka kishte folur në favor të qëndrimit të tij.

Yakin u pyet se sa larg mund të shkojë Zvicra në Kupën e Botës 2026. 

Yakini thotë se paraqitja e mirë në Evropianin e vitit 2024 në Gjermani, i jep shpresë për rezultate të mira edhe në Botërorin 2026.

“Do të kishte qenë e mundur të arrinim në çerekfinale kundër Anglisë, në mënyrën se si luajtëm. Shumë gjëra ishin të mundshme atje, madje edhe një gjysmëfinale, një finale... që natyrisht na bën të ëndërrojmë shumë”, tha 51-vjeçari.

Ai ka theksuar se Zvicra dëshiron ta luajë Botërorin më të mirë ndonjëherë. 

“Në fund të fundit, duhet ta kalojmë fazën e grupeve sa më mirë të jetë e mundur, në mënyrë që të përballemi më pas në fazën nokaut me kundërshtarë që nuk përfunduan në vendin e parë”, thotë Yakin. 

Ai ngul këmbë se Zvicra ka potencial për të arritur larg në Botëror.

“Ne duam të luajmë Kampionatin Botëror më të mirë ndonjëherë. Dhe kemi potencialin dhe cilësinë në ekip”, ka thënë Yakin.

Zvicra u kualifikua direkt në Botërorin e këtij viti. Në grup me Kosovën, Slloveninë dhe Suedinë, Zvicra përfundoi e para. Kosova e Suedia më pas luajtën në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Kosova humbi në finale nga Turqia 1:0, kurse Suedia siguroi biletën për Botëror pas fitores 3:2 ndaj Polonisë.