Futboll

Gruda beson në fitore ndaj liderit të Premier Leagues

Brajan Gruda

Sulmuesi i Brightonit, Brajan Gruda, ka thënë se vetëm qielli është limiti për skuadrën ku ai aktivizohet nëse paraqitja e të gjithëve është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Gjatë periudhës festive, “pulëbardhat” do ta vizitojnë liderin e elitës angleze, Arsenalin, që ende nuk di për humbje në këtë edicion në ndeshjet e zhvilluara në “Emirates Stadium”.

Ndeshja Arsenal – Brighton luhet të shtunën nga ora 16:00, ndërsa i takon xhiros së 18-të të Premier Leagues.

Arsenali është i pari në tabelë me 39 pikë. Brightoni është i nënti me 24 pikë, aq sa ka edhe Evertoni në pozitën e 10-të.

Pavarësisht diferencës së madhe të pikëve, Gruda ka besim në potencialin e skuadrës së Brightonit.

“Arsenali është ekip shumë i mirë”, ka thënë Gruda për programin “Albion Unlimited”.

“Do të jetë vështirë, por unë kam besim në klubin tim dhe besoj në veten time. E di se çfarë mund të bëjmë si ekip. Mund ta mposhtim çdo kundërshtar. Nëse japim 100 për qind nga vetja, mund të bëjmë gjithçka”.

Gruda, që ka rrënjë shqiptare, u transferua te Brightoni në gusht të vitit 2024 për 31.5 milionë euro nga Mainzi. Por sezoni i tij i parë u godit rëndë nga lëndimet e ndryshme. Ai është zhvilluar si futbollist te Speyer 09 e Karlsruhe. Prej vitit 2018 ishte pjesë e Mainzit deri në verën e vitit të kaluar.

Paraqitja e Grudës në Kampionatin Evropian U21 me Gjermaninë gjatë verës bëri që ai të arrinte me formë të lartë për fazën përgatitore. Ai ishte i gatshëm për të lënë gjurmë në kampanjën e Brightonit në Premier League.

“E kemi nisur sezonin mirë”, ka thënë Gruda. “Ne kemi fituar disa ndeshje të rëndësishme. Mendoj se në disa ndeshje kemi humbur disa pikë, kemi mundur të fitonim më shumë pikë, por kjo i takon së kaluarës dhe shohim para kah ndeshjet e ardhshme”, është shprehur Gruda.

Gruda është 21-vjeçar dhe shihet si futbollist premtues për të ardhmen. Ka përvojë në Bundesligë, pasi ka luajtur në 30 ndeshje. Ai për Mainzin kishte kontribuuar me katër gola e tri asistime në elitën gjermane.

Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë, nga U15 deri në U21. Tani po e pret rastin te Gjermania A. Shqipëria ka kohë që e ka kërkuar, por pa e bindur deri më tani.