Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se lojtarët do të peshohen kur të kthehen në stërvitje, për të parë nëse ata janë mjaftueshëm në formë për të luajtur kundër Nottingham Forestit më 27 dhjetor.
City fitoi 3:0 ndaj West Hamit të shtunën, në ndeshjen e fundit të skuadrës para Krishtlindjes.
Guardiola ka thënë se pesha e futbollistëve është matur para ndeshjes me West Hamin dhe ajo ishte në standardet e kërkuara. Dhe pesha e tyre do të matet sërish kur lojtarët të paraqiten për stërvitje më vonë gjatë javës.
“Në momentin që ata vijnë pas tri ditëve që i kanë të lira, dua të shoh se si kthehen. Ata mund të hanë, por dua t’i kontrolloj ata”, ka thënë Guardiola.
“Paramendoni një lojtar që tani është në gjendje të përkryer, ndërsa kur të kthehet i ka tre kilogramë më tepër. Ai do të jetë në Manchester, nuk do të udhëtojë për në Nottingham Forest”.
Guardiola është i njohur si trajner strikt kur bëhet fjalë për gjendjen fizike të lojtarëve. Në vitin 2016 i largoi disa lojtarë nga stërvitjet e ekipit të parë, deri në momentin që ata kishin peshën e duhur.
Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Gael Clichy, ka treguar se Guardiola u ka thënë lojtarëve të shmangin picat, disa lëngje dhe “ushqimin e rëndë”.
Guardiola i kishte kërkuar falje Kalvin Phillipsit pasi tha se mesfushori i Cityt ishte “mbipeshë” pas kthimit nga Kupa e Botës 2022.
City është dy pikë prapa Arsenalit në krye të Premier Leagues. Skuadra e Guardiolas luan në udhëtim edhe ndaj Sunderlandit, në ditën e parë të vitit të ri. Dhe kjo periudhë vlerësohet shumë e rëndësishme.
Tekniku spanjoll ka theksuar se nuk ka probleme me gjendjen fizike të lojtarëve apo me vrapimin e tyre, por se ata “thjesht duhet të luajnë më mirë”.
Ai refuzoi që t’i lërë të lirë lojtarët të dielën, duke u arsyetuar se nuk kanë luajtur mjaftueshëm mirë.
Skuadra e madhe angleze kthehet në stërvitje të enjten dhe do të ketë dy ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen me Nottingham Forestin. Guardiola ka thënë se është e rëndësishme për lojtarët që të kalojnë kohë me familjet e tyre në periudhën e Krishtlindjes.
“E kam mësuar nga Anglia, qëkur kam ardhur, që sa më shumë ditë që është e mundshme t’u jepen lojtarëve të lira. Orari është shumë i ngjeshur dhe lojtarët duhet të harrojnë. Në momentin e ndeshjes ata duhet të kenë këmbë të lehta”, ka thënë njëri prej trajnerëve më të mirë në botë.