Pep Guardiola thotë se dëshiron të përdorë pozitën e tij për të “folur për një shoqëri më të mirë”. Trajneri spanjoll i Manchester Cityt ka thënë se ndien dhimbje për viktimat e konfliktit global.
Guardiola mungoi në konferencë për media të premten e kaluar, pasi një ditë më herët foli në mbështetje të fëmijëve palestinezë në një koncert bamirësie në qytetin e tij të lindjes, Barcelonë.
Ai sërish foli për fëmijët që vriten dhe plagosen në zonat e konfliktit në gjithë botën, duke thënë se pamjet që sheh “i dhembin”.
Guardiola iu referua konflikteve në Palestinë, Ukrainë, Sudan dhe madje edhe të shtënave të fundit nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave në SHBA.
“Sot mund ta shohim këtë, më herët nuk mund ta shihnim”, tha Guardiola. “Më dhemb. Nëse do të ishte ana e kundërt, do të më dhembte. Më vjen keq, do të ngrihem në këmbë, gjithmonë do të jem aty. Gjithmonë. Të vrasësh mijëra njerëz të pafajshëm? Më dhemb. Nuk është më e komplikuar se kaq. Asgjë më shumë”.
Trajneri i njohur i futbollit sërish ka mbajtur fjalim emocional.
“Nuk mund të imagjinoj se si dikush nuk mund të ndiej këtë, kur sheh imazh çdo ditë, baballarët, nënat, fëmijët, duke përjetuar atë që ndodhi. Jetët e tyre po shkatërrohen dhe njerëzit nuk mund të ndiejnë pak lidhje? Më vjen keq, nuk mund ta kuptoj këtë”.
I pyetur se pse këto tema janë kaq të rëndësishme për të, Guardiola u përgjigj: “E vlerësoj sepse është hera e parë në dhjetë vjetët e fundit që një gazetar më pyet këtë. Dikur sikur juve nuk ju lejohet të bëni punën tuaj, nuk e di. Por a ka të tillë që shohin imazhet nga e gjithë bota, luftërat, dhe që nuk preken? Nuk është pyetje për të drejtën apo të gabuarën”.
Guardiola filloi të fliste për çështje globale pa u pyetur për to, duke dëshmuar sa e rëndësishme është kjo për të.
“Asnjëherë në histori të njerëzimit nuk kemi pasur informacionin para syve tanë si tani – gjenocidin në Palestinë, atë që ndodhi në Ukrainë, atë që ndodhi në Rusi, atë që ndodhi në gjithë botën, Sudan, kudo. Çfarë ndodhi para nesh? A doni ta shihni? Janë problemet tona si qenie njerëzore. Janë problemet tona”, ka vazhduar Guardiola.
Trajneri i njohur në gjithë botën, ka bërë thirrje për ndihmë më të madhe. Ai ka theksuar se askund nuk ka shoqëri të përsosur.
“Unë nuk jam perfekt, duhet të punojmë që të jemi më të mirë”, ka thënë Pep Guardiola.