Futboll

Gyokeres e Isak i besojnë selektorit të Suedisë

suedia

Jon Dahl Tomasson është në presion të madh pas një tjetër dështimi me Suedinë. Selektorit danez të Suedisë po i kërkohet dorëheqja, por ai e ka përkrahjen e lojtarëve.

Suedia të premten mbrëma pësoi 2:0 nga Zvicra në Solna. Të hënën e luan ndeshjen ndaj Kosovës, në Goteburg.

Pas humbjes nga Zvicra lojtarët e Suedisë janë fishkëllyer, ndërsa një baner që bënte thirrje për dorëheqjen e Tomassonit është shfaqur. Ka pasur edhe baner fyes ndaj danezit.

“Është e tmerrshme, gjëra të tilla nuk duhet të ekzistojnë. E kuptoj që njerëzit janë të dëshpëruar, por mendoj se të shkruhen gjëra të tilla është e ulët”, ka thënë Emil Holm, futbollist i Suedisë. 

Edhe lojtarë të tjerë i kanë ofruar përkrahje Tomassonit. Madje edhe yjet e Premier Leagues.

“Natyrisht, nuk jemi në pozitë të mirë momentalisht por ka ende mundësi dhe e rëndësishme është të jemi të bashkuar. Ne të gjithë i besojmë atij për aq kohë as ai është këtu. Dhe do të vazhdojmë të luftojmë të bashkuar. Askush nuk përfiton nga ndarjet. Shansi më i mirë do të jetë nëse qëndrojmë të bashkuar”, ka thënë Alexander Isak.

“Ne besojmë në idetë e lojës dhe në të”, ka thënë Viktor Gyokeres.