Futboll

City fiton thellë në derbin e zjarrtë ndaj Liverpoolit

Erling Haaland

Man City ka shënuar fitore të thellë të dielën në derbin e zjarrtë me Liverpoolin.

Me pikët e plota, City u ngjit në pozitën e dytë, ndërsa e ka thelluar Liverpoolin me trajnerin Arne Slot edhe më shumë në krizë të rezultateve.

City ka 22 pikë, katër më pak se lideri Arsenali, kurse Liverpooli me 18 pikë është në vendin e tetë. Nga 18 pikë kanë edhe Tottenhami, Aston Villa, Manchester Unitedi dhe Bournemouthi.

Pep Guardiola nga ana tjetër e udhëhoqi Manchester Cityn drejt një tjetër fitoreje të madhe. Ishte triumfi i katërt rresht për Guardiolan dhe Cityn në të gjitha garat, në ndeshjen jubilare të tij. Tekniku spanjoll tani ka 1000 ndeshje si trajner. Periudha shumë të suksesshme më herët pati te Barcelona dhe Bayern Munichu.

Të dielën në “Etihad Stadium”, në ndeshjen e xhiros së 11-të të Premier Leagues, pati penallti të humbur, gola të shënuar e një të anuluar.

Erling Haaland e humbi mundësinë të shënonte nga penalltia në minutën e 13-të. Gjuajtjen e tij e kuptoi portieri Giorgi Mamardashvili.

Por gjeorgjiani nuk arriti ta devijojë topin pas gjuajtjes me kokë të Haalandit në minutën e 29-të. Sulmuesi norvegjez iu gëzua golit të 14-të në Premier League në këtë edicion, dhe të 99-tit në elitën angleze qëkur u transferua nga Borussia Dortmundi në vitin 2022.

Virgil van Dijk shënoi për Liverpoolin në minutën e 38-të. Por pas rishikimit të situatës në VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Van Dijk ishte i pafat kur e devijoi gjuajtjen e mesfushorit Nico Gonzalez. Mesfushori spanjoll shënoi për 2:0 në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë.

Në minutën e 63-të, me golin për 3:0, sfidën e vendosi sulmuesi i krahut, Jeremy Doku.

Liverpooli në këtë ndeshje vinte pas fitoreve ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve dhe Aston Villas në Premier League. Por, ka pasur shumë disfata në këtë sezon, të cilat e kanë lënë prapa edhe në elitën angleze. Në Champions është i teti me nëntë pikë në katër ndeshje.


Spektakël në “Etihad”, City shënon golin e tretë

Manchester City e ka shënuar edhe golin e tretë në derbin ndaj Liverpoolit.

Për 3:0 në minutën e 63-të shënoi Jeremy Doku.


City shënon sërish

Manchester City ka shënuar tjetër gol në derbin ndaj Liverpoolit.

Në fundin e pjesës së parë realizoi Nico, me devijim të Virgil van Dijkut.

Qendërmbrojtësit holandez iu anulua një gol në minutën e 39-të për pozitë jashtë loje.

Pjesa e parë ishte e zjarrtë. Erling Haaland humbi penallti në minutën e 13-të, por realizoi në minutën e 29-të për 1:0.

Kjo është ndeshje e veçantë për Pep Guardiolan. Guardiola e ka ndeshjen e 1000-të si trajner.


Haaland përmirëson gabimin, shënon në derbin ndaj Liverpoolit

Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, e humbi mundësinë të shënonte nga penalltia në minutën e 13-të në derbin ndaj Liverpoolit.

Por sulmuesi norvegjez e përmirësoi gabimin në minutën e 29-të kur shënoi për 1:0.

Ndeshja në “Etihad” i takon xhiros së 11-të të Premier Leagues.

Për Haalandin ishte goli i 14-të në edicionin aktual të elitës angleze.