Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Hagi merr drejtimin e Rumanisë 25 vjet pas periudhës së parë si selektor

Hagi

Federata e Futbollit e Rumanisë e ka emëruar legjendën Gheorghe Hagi në postin e përzgjedhësit të Rumanisë. Vendimi u bë zyrtar të hënën, ndërsa 61-vjeçari kthehet në stolin ku e nisi karrierën si trajner plot 25 vjet më parë.

I konsideruar si njëri prej lojtarëve më të mirë në botë në vitet 1980-ta dhe 1990-ta, Hagi e zëvendëson Mircea Lucescun që dha dorëheqje muajin e kaluar pasi Rumania u mposht nga Turqia në gjysmëfinale të plejofit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fakt Lucescut iu keqësua gjendja shëndetësore në prag të ndeshjes së 31 marsit me Sllovakinë. 80-vjeçari Lucescu, i vlerësuar po ashtu legjendë e futbollit, vdiq pesë ditë pas dorëheqjes. 

Federata e Futbollit e Rumanisë ka njoftuar se Hagi ka nënshkruar për dy ciklet e ardhshme kualifikuese, për Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030.

Rumania luan miqësore me Gjeorgjinë dhe Uellsin në qershor, para se ta fillojë kampanjën në Ligën e Kombeve në shtator. Rumunët garojnë në Ligën B, që është niveli i dytë.

Hagi, mesfushori sulmues i njohur si “Maradona nga Karpatet”, i luajti 124 ndeshje për Rumaninë. Është paraqitur në tri Kampionate Botërore dhe tri Kampionate Evropiane. Së bashku me Adrian Mutun është realizatori më i mirë në histori të Rumanisë me 35 gola.

Si futbollist luajti për Steaua Bukureshtin, Real Madridin e Barcelonën. Karrierën impresive, Hagi e përfundoi te Galatasaray në vitin 2001.

Një muaj pasi i dha fund karrierës si lojtar, në moshën 36-vjeçare, Hagi u emërua përzgjedhës i Rumanisë. Ishte në krye në katër ndeshje, ku përfshiheshin edhe dy të plejofit kualifikues për Botëror. Rumania pësoi nga Sllovenia dhe Hagi ofroi dorëheqje. 

Si trajner i kishte dy periudha te Galatasaray, ndërsa e fitoi Kupën e Turqisë. Ai formoi klub në Rumani, të quajtur Viitorul Constanta, që arriti promovimin në elitë dhe më vonë u bashkua me Farul Constanta. Hagi e ka udhëhequr ekipin për mbi një dekadë, deri vitin e kaluar. I ka fituar dy tituj të Rumanisë.