Futboll

Hoxha dhe Shaipi optimistë për fitore ndaj Suedisë

Amir Shaipi

Amir Shaipi

Përfaqësuesja e Kosovës të dielën do të udhëtojë për në Goteborg, ndërsa një ditë më pas e zhvillon ndeshjen e rëndësishme me Suedinë.

Kosova të hënën nga ora 20:45 do të luajë ndaj Suedisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet vitin e ardhshëm në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

“Dardanët” të premten mbrëma fituan një pikë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Sllovenisë, pas barazimit pa gola.

Veldin Hoxha dhe Amir Shaipi, të cilët nuk luajtën ndaj Sllovenisë, e pranuan se dueli ndaj suedezëve do të jetë i vështirë.

“Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë kundër Suedisë. Por i kemi mposhtur në ndeshjen e parë dhe e dimë si të luajmë ndaj tyre. Do të përgatitemi sa më mirë që të mundemi dhe të shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë 22-vjeçari Hoxha.

Ndërkohë portieri i Luganos, Shaipi, pret nga futbollistët që të japin më të mirën.

“Suedia është një ekip shumë i fortë, por ne kemi treguar edhe në ndeshjen e muajit të kaluar që mund të fitojnë edhe ndaj kundërshtarëve të mëdhenj. Jam optimist se edhe pikën tjetër mund ta marrim tani të hënën. Për këtë duhet që secili të jap 100 për qind të tij dhe të stërvitet mirë nesër. Shpresoj të shkojë mirë. Suedia sigurisht ka presion më të madh se ne. Ne shkojmë në lojë me më pak presion. Sigurisht duam të fitojmë dhe nëse luajmë si ndaj Sllovenisë gjithçka do të shkojë mirë dhe do të marrim një pikë pa dyshim”, ka thënë 25-vjeçari Shaipi.

Zvicra është e para pas tri ndeshjeve në Grupin B me nëntë pikë. Kosova e dyta ka katër pikë, ndërsa Sllovenia e treta ka dy pikë. E fundit është Suedia me një pikë.