Mbrojtësi i krahut, Elseid Hysaj, ishte prej më meritorëve në fitoren e Lazios.
Lazio të dielën pasdite e mposhti Empolin në udhëtim me rezultatin 1:0. Kjo ndeshje i takoi javës së 35-të të Serie A.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Hysaj, asistoi te goli i fitores të cilin e realizoi Boulaye Dia në minutën e parë.
Hysaj u ndëshkua më pas me karton të kuq.
31-vjeçari Hysaj në minutën e 66-të u ndëshkua me karton të verdhë kurse dhjetë minuta më pas ai u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.
Ndërkohë edhe Empoli nga minuta e 38-të ishte me një futbollist më pak në fushë pasi Lorenzo Colombo njësoj si Hysaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Te Empoli ndeshjen e kompletoi Ardian Ismajli. Arijon Ibrahimoviqi ishte në bankën e rezervistëve te Lazio.
Hysaj në 12 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion ka kontribuar me tri asistime. Lazio ka 63 pikë dhe është në zonën “Champions”.
Enpoli renditet në pozitën e parafundit me 25 pikë. Po lufton për mbetje në elitë. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro.