Futboll

Ish-lojtari i Arsenalit akuzohet për dhunim dhe sulm seksual

Partey

Ish-futbollisti i Arsenalit, Thomas Partey, është akuzuar për dhunim dhe për sulm seksual, është bërë e ditur të premten.

Partey përballet me pesë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual.

32-vjeçari nga Gana ishte pjesë e Arsenalit deri të martën, kur edhe i përfundoi kontrata. Ai luan në mesfushë, ndërsa aktualisht është pa ekip. Partey karrierë ka bërë edhe tek Atletico Madridi, Mallorca e Almeria. Te dy të fundit ishte i huazuar.

Në skuadrën londineze, Partey ishte për pesë vjet.

Policia metropolitane e Londrës ka njoftuar se veprat penale dyshohet se kanë ndodhur në vitet 2021 e 2022.

Akuzat kanë të bëjnë me tri gra të ndryshme, shkruan BBC. Dy akuza janë për dhunimin e një gruaje dhe tri akuza për dhunim të një gruaje tjetër. Ndërkohë një akuzë ka të bëjë me sulm seksual ndaj një gruaje të tretë.

Partey ka luajtur 167 ndeshje me Arsenalin, në të cilat ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë shtatë asistime. Tek Atletico Madridi i luajti 188 ndeshje, derisa realizoi 16 gola e 12 asistime. Është njëri prej kapitenëve të Ganës.

Ai do të paraqitet në një gjykatë në Londër më 5 gusht. Partey ishte arrestuar për herë të parë në korrik të vitit 2022, ndonëse emri nuk i ishte bërë i ditur. Ai vazhdoi të luante për Arsenalin, ndërsa hetimet vazhdonin. Arsenali e kishte transferuar në vitin 2020 për 45 milionë euro.