Futboll

Ismajli te Torino, të hënën firmoset marrëveshja trivjeçare

Ardian Ismajli

Mbrojtësi Ardian Ismajli do ta vazhdojë karrierën te Torino.

Ismajli aktualisht është i lirë, pasi i përfundoi kontrata me Empolin. Marrëveshja me Torinon në fakt është arritur më herët, por te ky klub kanë pritur ta finalizojnë atë pas largimit të Saul Cocos për te Al-Duhaili.

Por pasi transferimi i Cocos po shtyhet, drejtuesit e Torinos kanë vendosur të veprojnë për të shmangur ndërlikimet eventuale. Kështu ka njoftuar Tuttosport të shtunën.

Ismajli ka refuzuar klube të tjera dhe ka vendosur për Torinon. Por reprezentuesi i Shqipërisë do të mund të shqyrtonte opsione të tjera, nëse marrëveshja me Torinon nuk do të finalizohej. 28-vjeçari të hënën do të jetë në Torino.

Pasi t’i nënshtrohet testeve mjekësore pritet të firmosë për tri vjet, me opsion për një vit tjetër. Paga vjetore e Ismajlit do të jetë 1,1 milionë euro, pos bonusit me rastin e transferimit.

Torino e përfundoi kampionatin e fundit në pozitën e 11-të në Serie A.