Futboll

Jashari bëhet sërish temë në Itali

Ardon Jashari

Menaxheri i Massimiliano Allegrit, trajnerit të Milanit, Giovanni Branchini, ka theksuar se skuadra “kuqezi” ende nuk është dorëzuar për transferimin e Ardon Jasharit nga Club Brugge.

Branchini foli për “Sky Sport” të premten. 

“Jashari na është ofruar, e ka kaluar pozitivisht vlerësimin. Por nuk është lojtari i 11-të që na nevojitet për ta kompletuar ekipin e parë. Allegri nuk ka bërë kërkesa specifike. Ai është profil interesant dhe negociatat po vazhdojnë, kjo është e vërtetë. Por, nuk jam i sigurt nëse të gjithë janë duke u pajtuar për këtë lëvizje. Club Brugge dhe lojtari janë kontaktuar po ashtu dhe oferta është serioze. Megjithatë, nuk mendoj se Allegri do të jap dorëheqje nëse Jashari nuk mbërrin në skuadër”, ka deklaruar Branchini. 

Milani ofroi 40 milionë euro për ta mbyllur marrëveshjen me të, përfshirë edhe bonuset. Por në javën e kaluar, Club Brugge e refuzoi ofertën. Ndërkohë, Jashari është pajtuar me kushtet personale për t’iu bashkuar gjigantit të Serie A. 

Së fundi në garë për Jasharin kanë hyrë edhe Bayer Leverkuseni e Chelsea.