Gjasat janë gjithnjë e më të mëdha që një mesfushor shqiptar ta udhëheqë lojën e Milanit në edicionin e ardhshëm.
Javën e kaluar klubi i madh italian shprehu interesim për Ardon Jasharin. Në fundjavë ka pasur shumë raportime që Granit Xhaka do të kaloi te skuadra që tani për drejtor sportiv e ka Igli Taren.
Milani thuajse ka siguruar shërbimet e legjendës kroate, Luka Modriq.
Sipas “Blick”, gjasat që të transferohen edhe Xhaka e edhe Jashari nuk janë shumë të mëdha për shkak të kostos së lartë. Gazeta e madhe zvicerane ka shkruar se nëse Xhaka transferohet te Milani, atëherë në vend të tij Bayer Leverkuseni mund ta angazhojë Ardon Jasharin nga Club Brugge.
Brugge kërkon 35 milionë euro për Jasharin. Xhaka pritet të transferohet për rreth 15 milionë euro te Milani.
Edhe pa e shitur Xhakën, Leverkuseni ka mjaftueshëm para për ta transferuar Jasharin. Plot 140 milionë euro i përfitoi nga shitja e Florian Wirtzit te Liverpooli.