Futboll

Kampioni i Rumanisë nuk do ta ketë përkrahjen e shikuesve në Kosovë

FCSB

Kampioni i Rumanisë në futboll, FCSB, nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve në ndeshjen e kthimit me Dritën e Gjilanit.

Drita e FCSB-ja takohen të enjten nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.

Të enjten e kaluar FCSB-ja fitoi 3:2 ndeshjen dramatike me Drtitën në Bukuresht, të zhvilluar para 13 mijë e 825 shikuesve. Drita kaloi në epërsi 1:0 në minutën e shtatë dhe 2:0 në minutën e 50-të.

Por rumunët shënuan në minutën e 64-t dhe të 72-të për 2:2, ndërsa golin e fitores e realizuan në minutën e 94-t.

Është presidenti i bordit të drejtorëve të kampionatit rumun, Mihai Stoica që ka njoftuar se tifozët e FCSB-së nuk do të udhëtojnë për në Kosovë. Sipas tij, nuk është bërë kërkesë për një gjë të tillë. Stoica ka thënë se tifozët nuk do të udhëtojnë për të evituar problemet.

“Tifozët nuk do të udhëtojnë për në Kosovë. Nuk kemi kërkuar bileta për tifozë. Jemi paralajmëruar se është më mirë në këtë mënyrë. Njerëzit janë sjellë në rregull me ne. Ne jemi sjellë në të njëjtën mënyrë. Tifozët tanë kanë dhënë leksion të maturisë që na ka shtyrë para të gjithëve”, ka thënë Stoica për “Prima Sport”.

Ai ka folur edhe për ndeshjen e parë.

“Ishim të bindur se do të kishte një skandal tjetër. Por tifozët arritën të mos na shkaktojnë probleme e po ashtu nuk i shkaktuan as vetes. Do të luajmë ndeshjet e plejofit, pavarësisht garës, në stadiumin e mbushur me shikues. Në të kundërtën stadiumi mund të mbyllej, mund të paguanim gjoba prej qindra mijëra eurosh. Ishte gjë e madhe të mos dëgjojmë asnjë fyerje të vetme”, ka shtuar Stoica.

Ndeshjet e kaluara mes Rumanisë dhe Kosovës sollën tensione të mëdha. Ka pasur drojë që diçka e tillë mund të ndodhë edhe në ndeshjen mes FCSB-së dhe Dritës. Por nuk është raportuar për fyerje apo incidente.

Kampioni rumun ishte në seri prej katër humbjesh para ndeshjes me Dritën. Por ia doli të reagojë në pjesën e dytë të takimit dhe ta ndërpresë këtë seri negative.

Megjithatë sfida mbetet plotësisht e hapur dhe çdo gjë do të vendoset në ndeshjen e dytë. Te Drita presin përkrahje të madhe nga shikuesit.

Te FCSB-ja për ndeshjen me Dritën do të kthehen Darius Olaru dhe Juri Cisotti.