Futboll

Kampioni mposhtet në “Stamford Bridge”

Chelsea

Liverpooli është mposhtur në “Stamford Bridge” nga Chelsea dhe e pësoi disfatën e parë si kampion i ri i Premier Leagues.

Liverpooli titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez e festoi fundajvën e kaluar, pas fitores 5:1 ndaj Tottenhamit.

“Të kuqtë” e Arne Slotit pësuan disfatë 3:1 të dielën mbrëma, në ndeshjen derbi të xhiros së 35-të.

Ishte edhe humbja e parë e Liverpoolit në 20 ndeshjet e fundit të zhvilluara në muajin maj, pas 16 fitoreve e katër barazimeve.

Golin e parë në ndeshje e realizoi Enzo Fernandez në minutën e tretë.

Mbrojtësi Jarrell Quansah më pas realizoi autogol për 2:0, në minutën e 56-të.

Liverpoolin në lojë e ktheu kapiteni Virgil van Dijk, me golin të cilin e realizoi pesë minuta para fundit.

Por mysafirët e pësuan edhe golin e tretë në minutën e gjashtë të kohës shtesë kur Cole Palmer realizoi nga penalltia për rezultatin final.

Për Liverpoolin ishte vetëm disfata e tretë e edicionit, ndërsa ka 82 pikë aktualisht, pas 25 fitoreve e shtatë barazimeve.

Për Chelsean ishte fitore e rëndësishme, pasi mbetet në vendin e pestë me 63 pikë, pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin tjetër. Me 63 pikë është edhe Newcastle në vendin e katërt, një më pak se Manchester City që zë vendin e tretë.

Deri në fund të kampanjës, në Premier League kanë mbetur edhe tri xhiro.