Futboll

Karoglan i kënaqur me punën e bërë te Ballkani, pret garë të fortë për titull

Mislav Karoglan

Trajneri kroat, Mislav Karoglan, e mori drejtimin e Ballkanit në periudhë të vështirë. Kur ai u zyrtarizua në krye, më 25 nëntor, Ballkani kishte vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Pasuan fitore të mëdha ndaj Dritës në udhëtim, ndaj Prishtinës së Re, Prishtinës dhe në fund edhe barazimi në Klinë ndaj Dukagjinit. Kështu ekipi suharekas përfundoi stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll në vendin e parë. Ballkani i ka 33 pikë pas 18 xhirove, tri më shumë se Prishtina. Dukagjini është i treti me 29 pikë, sa i ka edhe Drita në vendin e katërt.

Karoglan është trajneri i parë i huaj në histori të Ballkanit. Dhe ai është i kënaqur me punën e bërë brenda një muaji.

“Është periudhë absolutisht e suksesshme. E morëm ekipin kur kishte vetëm një fitore në pesë ndeshje. Erdhën derbit, me Dritën jashtë, më pas me Prishtinën e Dukagjinin. Pra skuadra të kreut të tabelës. Kështu që për ne ishte periudhë e suksesshme. Lojtarët iu përmbajtën asaj që kërkuam dhe një moment të vështirë e shndërruam në atë që solli vendin e parë në fund të stinorit vjeshtor”, ka thënë Karoglan për KOHËN.

43-vjeçari në të kaluarën ka drejtuar Hajdukun e Splitit dhe Sheriff Tiraspolin në Moldavi. Rrjedhimisht vlerësohet prej trajnerëve më cilësorë që kanë punuar në Kosovë.

Për kroatin, e rëndësishme është që qasja e lojtarëve ndaj stërvitjes të jetë e duhura. Ai e vlerëson edhe punën që është bërë te Ballkani para ardhjes së tij. Orges Shehi ishte trajner i Ballkanit para kroatit. Ai u largua më 19 nëntor.

“Kemi provuar të ndryshojmë diçka në aspektin taktik. Por ajo që ka më shumë rëndësi është të implementojmë kulturën tonë, të implementoj kulturën time lidhur me stërvitjen, qasjen dhe analizën. Kjo është shumë e rëndësishme. Qasja ndaj punës është shumë e rëndësishme për këtë periudhë të shkurtër. Në shumë gjëra skuadra ishte e mirë edhe më parë. Nuk do të ishte korrekte ndaj shtabit të kaluar teknik nëse do të vlerësoja ndryshe, por kështu e ka futbolli”, ka theksuar Karoglan.

Ballkani i fitoi tre tituj të kampionit rresht me Ilir Dajën. Periudhën e dominimit e nisi në edicionin 2021/2022. Në kampionatin e kaluar, suharekasit mbetën pa titull të kampionit. Drita u shpall kampione.

Tani Ballkani po rivalizohet nga Drita e Prishtina në garën për titull. Dhe gara pritet të jetë shumë e fortë në pranverë. Prishtina së fundmi ishte kampione në vitin 2021, derisa Drita është kampione në fuqi.

Karoglan nuk pret shumë ndryshime në skuadër për pjesën e dytë të kampionatit.

“E dimë që do të jetë vështirë. Liga e Kosovës është e tillë që secili mund ta mposhtë secilin. Secila ndeshje është e vështirë. Duhet të jemi të gatshëm, të krijojmë identitet. Nuk e di në këtë moment çka do të ndryshojmë, por nuk do të ketë ndryshime të shumta. Ndoshta ndonjë lojtar i ri, por asgjë e tepruar”, ka thënë tekniku kroat.

“Sa u takon rivalëve, pres Prishtinën, Dritën, që janë skuadra cilësore. Por edhe ekipet si Dukagjini, Gjilani, Malisheva janë ekipe të mira. Liga është e barabartë dhe na pret luftë e madhe. Për këtë jemi të vetëdijshëm”.

Stinori vjeshtor në Superligë përfundoi të mërkurën me ndeshjen e mbetur mes Dritës dhe Prishtinës. Drita fitoi 2:0.