Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

KFF Mitrovica pretendon se pa të drejtë është përjashtuar nga Kupa e Kosovës

KFF Mitrovica

KFF Mitrovica me një reagim të gjatë të enjten ka theksuar se Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, e ka eliminuar pa të drejtë nga Kupa e Kosovës. Vendimin e datës 2 prill të Komisionit të Garave dhe Ligave të FFK-së e ka kundërshtuar klubi mitrovicas. 

Në vendimin e Komisionit të Garave thuhet se “është aprovuar si e bazuar ankesa e klubit të futbollit të vajzave KFF Dukagjini, në lidhje me zhvillimin e ndeshjes së gjysmëfinales së parë për Kupën e Kosovës ndërmjet KFF – Dukagjini – KFF Mitrovica e zhvilluar më 26 mars 2026”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

KFF Dukagjini ka bërë ankesën se ndeshja e fundit të muajit të kaluar, është zhvilluar pa praninë e mjekut te klubi mitrovicas dhe ka kërkuar fitore me rezultat zyrtar 3:0. 

“KFF Mitrovica eliminohet nga garat e mëtutjeshme të Kupës së Kosovës, edicioni 2025-2026, sipas nenit 44 paragrafi 44.7 pika d. Vendimi hyn në fuqi në momentin e nënshkrimit të tij”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave. 

Në vendimin e Komisionit të Garave thuhet po ashtu se gjatë ndeshjes janë lënduar dy lojtare të ekipit mysafir dhe është dashur intervenimi i mjekut të ekipit nikoqir, pasi te KFF Mitrovica, i paraqitur dhe i pranishëm ka qenë vetëm fizioterapeuti i klubit, Sabit Hajra, por jo edhe mjeku. 

KFF Mitrovica e ka vlerësuar skandal dhe të turpshëm vendimin. 

“Kërkojmë nga Komisioni i Garave: le të na e gjejë në cilin nen të rregullores së FFK-së shkruan se një ndeshje e fituar në fushë humbet 3:0 në tavolinë vetëm pse nuk ka qenë në protokoll mjeku, por vetëm fizioterapeuti? Neni 46.1, në të cilin është thirrur komisioni, nuk e thotë këtë, siç e ka cekur komisioni në vendim”, ka shkruar KFF Mitrovica të enjten, ndërsa ka shtuar se me delegaten Donjeta Krasniqi, do të përballen në gjykatë për shpifje. 

Te klubi mitrovicas kanë shtuar se të gjitha ndeshjet në Ligën e Femrave zhvillohen me fizioterapeut, dhe se sipas tyre, kjo praktikë është pranuar nga klubet dhe është miratuar nga Komisioni i Garave para fillimit të kampionatit. 

“Nuk është hera e parë që ky klub tenton fitore në tavolinë. Por është e papranueshme kur këto tentativa shpërblehen nga ata që duhet të garantojnë drejtësi dhe barazi. Ne nuk heshtim! Do ta ndjekim këtë çështje deri në fund, në çdo instancë. Ne duam drejtësi, jo padrejtësi. Duam garë të barabartë për të gjithë!”, ka shkruar KFF Mitrovica.