Futboll

Kompleksi sportiv në Graçanicë nuk e mban më emrin “Dragan Xhajiq”

Graçanicë

Në seancë të Kuvendit Komunal të Graçanicës, kuvendarët miratuan një propozim që kompleksi sportiv në Graçanicë, i cili deri më tani mbante emrin e Gragan Xhajiqit, një legjendë e futbollit serb, në të ardhmen të quhet qendra sportive “Graçanica”, shkruan “Medija centar Çaglavica”.

Xhajiq vlerësohet legjendë e futbollit në Serbi, ndërsa është në krye të federatës së këtij vendi.

Vendimi u mor me shumicë votash nga kuvendarët, ndërsa propozimi për ndryshimin e emrit u paraqit nga drejtori i Departamentit të Rinisë dhe Sportit, Stahinja Aritonoviq. Ai ua ka paraqitur kuvendarëve edhe peticionin e qytetarëve me 234 nënshkrime.

“Mora një kërkesë nga Vlastimir Ivanoviq, i cili solli një listë të personave të nënshkruar që nisën një peticion për të ndryshuar emrin e kompleksit sportiv në Graçanicë nga ‘Dragan Xhajiq’ në ‘Graçanicë’. Shumica dërrmuese e atyre që kanë nënshkruar, nuk kanë asgjë kundër Dragan Xhajiqit, ai ka bërë shumë për futbollin serb dhe si rezultat është president i Federatës së Futbollit të Serbisë. Ajo që, siç thashë, e bezdis pak publikun - kemi edhe nga ata që mbështesin Partizanin, kështu që janë pak të zemëruar që është Dragan Xhajiq - por ajo që do të thoshin është se ndoshta një nga emrat tanë të denjë duhet të mbajë emrin e atij kompleksi sportiv. Në mënyrë që të mos ketë diskutim nëse duhet të jetë Momçilo Bursac, apo Mita Dimitrijeviq, apo i ndjeri Bojan Stojanoviq, ish-kryetar i Komunës së Graçanicës nën mandatin e të cilit u ndërtua ky kompleks - ata vunë emrin e Graçanicës, që ndoshta është edhe një emër i madh”, tha Aritonoviq.

Edhe pse shumica e kuvendarëve e mbështetën propozimin, pati mospajtime. Këshilltari Nebojsha Markoviq vlerësoi se nuk ishte e drejtë të ndryshohej emri i kompleksit sportiv “Dragan Xhajiq” “vetëm për shkak të një peticioni”.

“Dragan Xhajiq është një legjendë e futbollit jugosllav, botëror dhe serb. Dhe tani po e ndryshojmë atë me një peticion – mendoj se është vërtet e pavlerë. Nuk dua të them se tani jemi njëlloj... se tani po marrim disa vendime, por prapëseprapë, ai është një legjendë”, tha Markoviq.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, Milan Dimitrijeviq, vazhdoi me prezantimin e Markoviqit.

“Kolegë, pati jehonë në publik kur u arrestua, kështu që...”, tha Dimitrijeviq.

Pas një diskutimi dhjetëminutësh, kryetari i Kuvendit vuri propozimin në votim. Vendimi për ndryshimin e emrit u miratua me shumicë votash. Nëntë kuvendarë ishin pro, një kundër dhe gjashtë abstenuan.