Kosova e Shqipëria i luajnë të martën ndeshjet kthyese të plejofit për Ligën B në Ligën e Kombeve.
Futbollistet e Kosovës e kanë thuajse të pamundur kalimin nga Liga C në Ligën B. Tri ditë më parë ato u mposhtën thellë, 4:0, nga Turqia në “Fadil Vokrri”. Ndeshja e kthimit është në Izmir, të martën nga ora 18:00. Turqia vetëm pritet ta konfirmojë qëndrimin në Ligën B, e kështu Kosova të mbetet në Ligën C.
“Tani ky rezultat është i vështirë për t’u rikuperuar, por ideja është të analizojmë performancën dhe të ndërtojmë diçka më të qëndrueshme në të ardhmen”, kishte pranuar pas ndeshjes së parë selektori i Kosovës, Sami Sermaxhaj.
Ai e ka pranuar dominimin e Turqisë e në të njëjtën kohë nivelin më të lartë të futbollisteve të kësaj përfaqësuese.
“Morëm masat për të penguar Turqinë të luante lojën e saj, por nuk ia arritëm qëllimit. Lojtaret e Turqisë ishin më të shpejta, si në organizimin e sulmit ashtu edhe në finalizim. Pjesa e parë ishte shumë e vështirë, Turqia ka një ekip më të komponuar dhe më të pjekur. Edhe ne nuk arritëm nivelin e pritjeve dhe përgatitjeve, por futbolli ka këso rezultat”, kishte theksuar Sermaxhaj pas ndeshjes në Prishtinë.
Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve vazhdon në Ligën B, ndërsa përfaqësuesja humbëse në Ligën C.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, që ishte ai 2023/2024, Kosova kishte fituar grupin në Ligën C dhe ishte “graduar” në Ligën B për kualifikimet për Euro 2025. Por në Ligën B i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet në grup me Uellsin, Ukrainën e Kroacinë dhe u kthye në Ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.
Në kampanjën e fundit ishte e dyta në grup në Ligën C. Mbeti prapa Letonisë, ndërsa e la pas Maqedoninë e Veriut. Kështu e fitoi rastin që përmes plejofit të avancojë sërish në B, por ndeshja e parë ishte zhgënjim.
Turqia ishte e treta në grup në Ligën B dhe për këtë duhet ta konfirmojë mbetjen në këtë nivel përmes plejofit.
E treta në grup në Ligën B në edicionin 2025 të Ligës së Kombeve ishte edhe Shqipëria. Shqipëria po ashtu është pjesë e plejofit. Të premten humbi 3:2 nga Qiproja në Larnaca. Ky rezultat vlerësohet se mund të përmbyset në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet të martën nga ora 18:00 në “Air Albania” në Tiranë.
“Kundër Qipros nesër vlen vetëm fitorja. Skuadra kuqezi duhet të fitojë me një diferencë prej të paktën dy golash për të siguruar qëndrimin në Ligën B. Nëse fitorja do të jetë me vetëm një gol diferencë, ndeshja do të shkojë në shtesa me nga 15 minuta”, ka shkruar FSHF-ja të hënën.