Artikull i përditësuar - Goli i Erëleta Memetit në minutën e 96-të ia ka siguruar Kosovës një tjetër fitore në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027.
Me fitoren 2:1 të shtunën ndaj Bullgarisë në Prishtinë, Kosova është shkëputur në tabelë, tani me gjasa reale për ta fituar Grupin C2.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKosova i ka katër fitore pas katër ndeshjeve të luajtura dhe i prin Grupit C2 me 12 pikë. “Dardanet” e udhëhequra nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, i kanë shënuar 12 gola, ndërsa i kanë pranuar vetëm dy. Kroacia mbetet e dyta në grup me nëntë pikë, ndërsa Bullgaria e treta i ka tri pikë. Kroacia po të shtunën e mposhti Gjibraltarin 9:0.
Gjibraltari është i fundit, pa pikë.
Sfida e së shtunës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që u zhvillua në praninë e një numri shumë të vogël të shikuesve, nisi me dominim të Kosovës.
Por ishin bullgaret që shkuan në pushim me epërsinë e një goli. Lora Petrova shënoi në minutën e 42-të.
Pas pushimit, Kosova e rriti ritmin e lojës dhe rezultati u barazua shpejtë. Në minutën e 52-të, mbrojtësja Blerta Smaili përfitoi nga largimi jo i mirë i portieres kundërshtare. Topi mbeti afër portës, dhe Smaili shënoi pa telashe për 1:1.
Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit me rezultat të barabartë, në skenë u shfaq kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti. Futbollistja e Eintracht Frankfurtit në Bundesligën gjermane, u asistua nga Donjeta Halilaj. Më pas bukur e plasoi topin mbi portieren Milena Karakoleva. Festa ishte e madhe, pasi Kosova i është afruar shumë një tjetër suksesi historik. Deri në fund të kampanjës kualifikuese për Botërorin 2027, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje. Më 5 qershor luan sërish në “Fadil Vokrri” përballë Kroacisë, rivales direkte për pozitën e parë. Më 9 qershor e zhvillon ndeshjen e fundit në udhëtim te Gjibraltari.
Vendi i parë në grup e siguron plejofin për kualifikim në Botëror dhe në të njëjtën kohë, edhe kalimin në Ligën B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Plejofin do ta sigurojnë edhe dy përfaqësueset më të mira që përfundojnë në pozitën e dytë nga gjashtë grupe sa janë gjithsej.
Te futbollistet, kualifikimet organizohen në nivel ligash, njëjtë si Liga e Kombeve.
Në plejof të Botërorit në fund të muajit mars u paraqit edhe Përfaqësuesja e Kosovës te futbollistët.
Kosova e kishte fituar gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë 4:3 në Bratislavë, por e kishte humbur finalen e plejofit të Botërorit 2026 nga Turqia në Prishtinë, 1:0.