Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar stërvitjen e parë përgatitore për ndeshjet e rëndësishme kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në stërvitjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ishin të pranishëm vetëm dhjetë lojtarë. Pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar për këtë grumbullim nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, kanë qëndruar në hotel për rigjenerim pas ndeshjeve që i kishin me klubet e tyre përkatëse në fundjavë. Në seancën e parë ishin të pranishëm Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani.
Kosova të shtunën e luan në Lubjanë ndeshjen e parafundit kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm ndaj Sllovenisë, kurse të martën e ardhshme e luan në Prishtinë ndeshjen e fundit kundër Zvicrës.
Kosova është e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë. Ka shtatë pikë, tri më pak se liderja Zvicra. Sllovenia është e treta me tri pikë, kurse Suedia e fundit me një pikë.
Vendi i parë siguron kualifikimin direkt në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë, kurse vendi i dytë luan në plejof.