Futboll

Kryetari i FFK-së me pozitë në FIFA

Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka marrë një pozitë në shtëpinë e futbollit botërori, FIFA. Ai është bërë anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA.

Kështu ka njoftuar të martën mbrëma Federata e Futbollit e Kosovës.

 “Komiteti për Marrëdhënie Institucionale ka një rol kyç brenda strukturave të FIFA-s. Ai këshillon dhe ndihmon FIFA-n në ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me institucionet më të larta ndërkombëtare, si: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe agjencitë e saj si UNESCO e UNICEF, organizatat qeveritare dhe joqeveritare në mbarë botën, si dhe shoqata të tjera ndërkombëtare të sportit”, shkruan FFK.

Kryetari Ademi ka theksuar se është privilegj, por edhe përgjegjësi pozita në FIFA.

“Jam i nderuar që do të kontribuoj në një komitet kaq të rëndësishëm të FIFA-s. Ky është një sukses për gjithë futbollin kosovar dhe një dëshmi se puna jonë po vlerësohet në nivelet më të larta ndërkombëtare", ka thënë Ademi për sajtin e FFK-së.

Anëtari i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s ka rol këshillues dhe përfaqësues brenda strukturës së organizatës botërore të futbollit.